Vizat, Fratini: Vendimi merret me 2 qershor

Ministri i Jashtëm italian thotë se heqja i vizave do të ndodhë në qershor të këtij viti
Ndërsa statusi kandidat për në BE mund të përfitohet brenda 2010-ës
TIRANË - Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, një nga mbështetësit kryesorë të proceseve integruese të Shqipërisë, deklaroi dje se liberalizimi i vizave me Shqipërinë në vendet e hapësirës "Shengen" të Bashkimit Europian, do të ndodhë në verën e këtij viti dhe se shqiptarët do të fillojnë të lëvizin të lirë në fillimin e stinës së vjeshtës.
Vendimi për heqjen e regjimit të vizave, sipas Fratinit, pritet të merret në samitin që do të mbahet në Bosnje -Hercegovinë më 2 qershor të këtij viti, ndërsa garantoi mbështetjen e Italisë, se vendi ynë mund të përfitojë brenda këtij viti statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Këtë qëndrim, kreu i diplomacisë italiane e shprehu dje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta. Fratini, i cili ishte i pranishëm dje në Tiranë me ftesë të ministrit të Jashtëm, Meta, vuri në dukje gjithashtu se Italia do të jetë në krye të procesit të liberalizimit të vizave për ta mbështetur atë deri në finalizimin e tij. "Synimi ynë politik është përfitimi i një propozimi pozitiv nga Komisioni para fundit të muajit maj.
Ndërsa etapa e dytë, përbëhet nga shpallja e vendimit për sa i përket liberalizimit të vizave në Samitin që do të realizohet në Sarajevë në 2 qershor të këtij viti.
Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Komisionit Europian mund të marrë një vendim formal përpara fillimit të verës, për të mundësuar që shtetasit shqiptarë dhe boshnjakë të mund të bëjnë vizitën e parë jashtë territoreve të tyre kombëtare pa pasur nevojën e pajisjes paraprakisht me viza, në periudhën e vjeshtës të këtij viti.
Këto janë synime më se të arritshme, dhe do të shërbejë një vullnet i madh nga Komisioni Europian dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, dhe Italia do të jetë në krye të këtij procesi", - tha dje Fratini. Ndërsa ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, theksoi se qeveria shqiptare ka bërë progres në të katër blloqet, si dhe ka përmbushur detyrimet e kërkuara nga Brukseli.
Në këtë mënyrë, sipas Metës, shqiptarët e meritojnë lëvizjen e lirë edhe për shkak të kushteve që janë realizuar. Për sa i përket integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian diplomati italian theksoi se perspektiva e rajonit është për në BE. Por, për t'u arritur finalizimi i këtij procesi, duhet që më parë vendet aspirante të plotësojnë kushtet e vendosura nga Brukseli.
Sipas Fratinit, Ballkani nuk do të trajtohet në bllok, por secili prej vendeve do të vlerësohet individualisht për rezultatet e arritura. Ai nënvizoi gjithashtu se Italia do të ndikojë mjaft tek strukturat politike të Bashkimit Europian, në mënyrë që Shqipëria të fitojë brenda këtij viti statusin e vendit kandidat. "Italia do të punojë fort në Europë në mënyrë që pikërisht procedura e njohjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë të përfundojë brenda këtij viti", - tha ai.
Vizat, Xhaçka: Vonesat, dështim i qeverisë
TIRANË - Opozita shqiptare reagoi dje mbi procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se vonesat për heqjen e tyre kanë ardhur nga dështimi i qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara nga Brukseli.
Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, në një deklaratë për shtyp, theksoi se nuk ka qenë mungesa e vullnetit politik të Bashkimit Europian që shqiptarët të lëvizin të lirë në hapësirën "Shengen", por ka qenë dështimi i qeverisë shqiptare në këtë drejtim.
Duke përshëndetur qëndrimin e ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, se vizat për Shqipërinë do të liberalizohen në verën e këtij viti, Xhaçka tha se nëse në muajin maj vendi ynë nuk merr një përgjigje pozitive nga Komisioni Europian për heqjen e regjimit të vizave, atëherë kjo situatë do të jetë edhe më e rëndë për shqiptarët.
Për sa i përket transparencës së zgjedhjeve, Xhaçka iu përgjigj qëndrimit të zëvendëskryeministrit Meta, duke vënë në dukje se populli opozitarë do ta fitojë atë nëpërmjet protestave. "Sa i përket çështjes së transparencës së zgjedhjeve, kjo është një e drejtë e mohuar që populli opozitar do ta fitojë në rrugën e protestës pa ndalim, kundër pushtetit të vjedhur që po rrënon edhe ekonominë, pasi tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve në 28 qershor", - u shpreh ajo.
***********************
Kryeministri thyen rregullat protokollare duke folur në gjuhë të huaj
Berisha përsërit zakonin, flet italisht edhe me Fratinin
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha përsërit të njëjtin zakon, duke thyer rregullat e protokollit, në takimin e tij me ministrin e Jashtëm Italian, Franko Fratini, pasi foli sërish dje në gjuhën italiane dhe jo në atë amtare.
Edhe pse përkthyesja e gjuhës italiane ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës së deklaratës për shtyp të ministrit italian Fratini dhe kreut të qeverisë Berisha, ky i fundit ka preferuar sërish të përdorë italishten e tij karakteristike.
Në këtë mënyrë, ashtu si edhe në rastet e mëparshme, veçanërisht me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, Berisha ka thyer përcaktimet protokollare, duke përdorur italishten në vend të përkthimit simultan (përkthimi me zë, i atypëratyshëm) edhe pse përkthyesja ishte disponibël për të kryer procesin e përkthimit.
Ndryshe ndodhi në takimin e parë me dy ministrat e Jashtëm, ku përkthyesja luajti rolin e saj me anë të përkthimit të dykahshëm, pasi ministri shqiptar, Ilir Meta, foli në gjuhën shqipe. Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri Berisha bën me vetëdije një gafë të tillë, pasi ai e ka përdorur shpeshherë italishten në dy takimet me homologun e tij, italian Silvio Berluskoni.
Në takimin e parë në vendin tonë, Berisha foli në gjuhën italiane duke bërë edhe gafa gjatë artikulimit të saj, ndërsa në takimin e dytë në Itali përdori të njëjtën metodë edhe pse sipas përcaktimeve protokollare ai duhet të flasë në gjuhën e tij amtare për të nxjerrë në pah rolin dhe statusin, me qëllim përcaktimin e tij identitar si Kryeministër i Shqipërisë, ashtu siç bëri ministri i Jashtëm italian, Franko Fratni, dje gjatë takimeve me krerët e shtetit shqiptar.
*********************
Kriza politike
Gjatë konferencës për shtyp u soll në vëmendje edhe kriza politike, e cila, sipas disa zyrtarëve të Bashkimit Europian, mund të penalizojë procesin e liberalizimit të vizave nëse nuk zgjidhet sa më parë.
Duke iu referuar kërkesës së vazhdueshme të opozitës për hapjen e kutive të votimit, si rruga e zgjidhjes së ngërçit politik, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Meta, sqaroi sërish pozicionin standard të mazhorancës. Sipas tij, të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në mënyrë institucionale dhe kushtetuese.
Për çështjen e situatës politike, kreu i diplomacisë italiane u bëri apel forcave politike që të marrin përgjegjësitë e tyre përkatëse për të bërë të mundur integrimin e vendit në BE. Për këtë arsye, sipas Fratinit, duhet të përjashtohet çdo element që krijon thyerje apo krisje të gjendjes politike dhe që e largon Shqipërinë nga Europa.
"Unë besoj se të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të kuptojnë se Shqipëria ndodhet në një pasazh vendimtar për të ardhmen e saj europiane. Duhet të kuptojnë që mbi të gjitha forcat politike rëndon një mundësi e madhe, por edhe njëkohësisht një përgjegjësi e madhe.
Kjo përgjegjësi e madhe sigurisht ka të bëjë me faktin se të gjithë duhet të punojmë së bashku për të çuar Shqipërinë në BE. Përgjegjësia e madhe ka të bëjë edhe me mosfutjen e elementëve të krisjes apo thyerjes që mund ta largojnë Shqipërinë nga BE", - u bëri thirrje kryediplomati italian.
Në këtë mënyrë, sipas ministrit italian, është sistemi politik shqiptar që duhet t'i japë përgjigjet e duhura Bashkimit Europian. Kjo është arsyeja, sipas Fratinit, që forcat politike duhet të rrisin bashkëpunimin e tyre në Parlament, me qëllim integrimin e vendit në BE.
Vizita
Vizita disaorëshe e ministrit të Jashtëm Italian, Franko Fratini, në Tiranë u shoqërua edhe me takime me krerët e tjerë të shtetit shqiptar. Pas takimit me homologun e tij, Fratini u takua edhe me Kryeministrin e vendit Sali Berisha.
Edhe në këtë takim, kreu i diplomacisë italiane e ka vënë theksin tek mbështetja e Italisë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, si dhe përfitimi i statusit të vendit kandidat. Pas këtij takimi, midis dy vendeve u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Protokollit dypalësh të bashkëpunimit për zhvillim midis qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare. Vizita e ministrit Fratini u përmbyll me takimin e tij me Presidentin e vendit Bamir Topi.
Pikat kryesore të projekt-rezolutës së PE-së mbi procesin integrues të Shqipërisë
Parlamenti Evropian;
1. Konfirmon, në përputhje me përfundimet e Këshillit Evropian të Selanikut e 19-20
Qershorit 2003, mbështetjen e plotë për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të ardhmen në BE;
2. PE pranon përparimin në procesin e reformës të arritur nga Shqipëria, por thekson nevojën për përpjekje të mëtejshme substanciale, e nevojshme për konsolidimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit si dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
3. Shpreh keqardhjen e krizës politike dhe institucionale pas zgjedhjeve parlamentare të Qershorit 2009 në Shqipëri, si dhe konsideron se dialogu parlamentar është i nevojshëm për funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore, si dhe për të çuar përpara reformat kryesore; mirëpret gjithashtu faktin që deputetët e Parlamentit bënë betimin dhe zunë vendet ne Parlament dhe i bën thirrje të gjitha partive politike që të jenë të angazhuara në aktivitet të plotë dhe të pandërprerë parlamentare;
4. Përshëndesim përmirësimet e bëra në kuadrin ligjor dhe administrativ të zgjedhjeve dhe vëmë re, se sipas vlerësimit të OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, megjithatë (OSBE-ODIHR) tërhoqën vëmendjen për një numër mangësish të identifikuara, në veçanti në lidhje me transparencën e procesit, presionin dhe kërcënimin e votuesve, regjistrimin e votuesve, dhe monitorimin e votave të numëruara, çështje të cila ende duhet të merren parasysh, dhe i bën thirrje të gjitha partive politike që të ndjekin një dialog konstruktiv politik për të eliminuar këto probleme, në favor të pluralizmit politik, përpara zgjedhjeve të ardhshme, duke përfshirë edhe zgjedhjet lokale të 2011, për më tepër, PE-ja thekson nevojën urgjente për hetim të shpejtë dhe efektiv të autorëve të parregullsive;
5. Thekson nevojën urgjente për vendosjen një konsensus ndër-partiak mbi reformat ekonomike, politike dhe sociale në mënyrë që të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe të lejojë që vendi të përparojë në rrugën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian;
6. Përshëndet progresin domethënës të bërë në përgatitjet për liberalizimin e vizave, dhe
pret që Komisioni të paraqesë propozimin e ri sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se muaji maj;
7. Kujton se mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të dhënat personale duhet gjithmonë të respektohen dhe të mos lihen mënjane në mënyrë arbitrare;
8. Konsideron se reforma në sistemin gjyqësor është një parakusht i domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në BE; thekson rëndësinë e një transparence, paanshmërisë dhe një gjyqësori efikas, pavarësinë nga kontrolli i qeverisë dhe presioneve të tjera, dhe nënvizon se reformat janë ende në një fazë të hershme të implementimit; dhe bën thirrje për miratimin e një strategjie gjithëpërfshirëse afat-gjate në këtë fushë, duke përfshirë një plan për miratimin e legjislacionit të nevojshëm dhe masat për zbatimin e tij, për më tepër, thekson se duhet të sigurohen fonde të mjaftueshme për gjyqësorin në mënyrë që të mund të punojë në mënyrë efektive në të gjithë vendin;
9. Mirëpret faktin se zbatimi i ligjit të lustrationit u pezullua nga Gjykata Kushtetuese dhe se ligji është aktualisht në shqyrtim; kjo kërkon një konsultim të gjerë dhe mirëkuptim, sidomos me Komisionin e Venecias; duhet të përgatitet një projektligj i ri ku të theksohet rëndësia e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve kushtetuese;
10. Mirëpret masat e ndërmarra për të luftuar korrupsionin, si në kuadrin ligjor ashtu edhe
në zbatimin e tij, por megjithatë vë në dukje se korrupsioni është ende një problem i ngulitur në vend dhe se hapa të mëtejshëm të fuqishëm duhet të merren për të ndryshuar situatën e mosndëshkimit;
11. Bën thirrje për hapa të mëtejshëm në zbatimin e strategjisë për reformën e administratës publike; dhe tërheq vëmendjen e politizimit të administratës nga procedura rekrutuese jo transparente;
12. Bën thirrje për përpjekje aktive për të luftuar krimin e organizuar, duke përfshirë luftën ndaj larjes së parave, trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore; bën thirrje për krijimin e një kornize ligjore për të adresuar dhe aspektet e parandalimit të krimit të organizuar, dhe nënvizon rëndësinë e efektshme të hetimit, ndjekjen penale dhe dënimin kriminelëve.
13. Vëren gjithashtu se gjendja ekonomike e Shqipërisë është e karakterizuar nga një rritje e ulët ekonomike, ekonomi e madhe informale, e cila promovon pasiguri të punës dhe në thelb dëmton të drejtat e punëtorëve;
14. Shqipëria duhet të zgjedhë politika të përshtatshme ekonomike, për të siguruar rritjen e qëndrueshme ekonomike, mbrojtjen e mjedisit, dhe të vendeve të punës;
15. Nënvizon rëndësinë e pavarësisë së medias, si themelin e demokracisë; nxit autoritetet që të bëjnë çdo përpjekje për të miratuar dhe të zbatuar kuadrin ligjor në përputhje me standardet evropiane për t'u siguruar atyre lirinë nga ndërhyrjet politike, (duke përfshirë edhe atë të ekzekutivit) dhe çdo lloj ndërhyrje tjetër.
Projektrezoluta që do të miratohet në Parlamentin Europian evidenton problemet e qeverisë me zgjedhjet, korrupsionin, krizën ekonomike, presionin ndaj gjyqësorit, politizimin e administratës dhe presionin ndaj medias
Rezoluta e PE-së, shuplakë për qeverinë
STRASBURG - Qeveria shqiptare ka mbetur "në provim" sa i përket detyrave që duhet të përmbushte në funksion të integrimit të saj në Bashkimin Europian. Përmes një projektrezolute, Parlamenti Europian i ka adresuar Shqipërisë një sërë kritikash të ashpra për gjithë zhvillimin e saj të deritanishëm, duke evidentuar një sërë problemesh, të cilat ende nuk kanë marrë zgjidhje.
Megjithëse në këtë Projektrezolutë paraqiten disa zhvillime pozitive, në të theksohen qartë se shumë çështje delikate, si problemet me zgjedhjet e kaluara, sistemi i drejtësisë, lufta ndaj krimit të organizuar, politizimi i administratës, ekonomia në rënie, liria e kërcënuar e medias e shumë probleme të tjera mbeten ende pa u zgjidhur.
Kjo Projektrezolutë (që pritet të kalojë në PE) është hartuar nga raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikolas Kuntis, i cili i bën një analizë të detajuar ecurisë së vendit tonë në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij.
Edhe pse shpeshherë ankesat e opozitës për problemet në procesin zgjedhor të 28 Qershorit nuk janë marrë parasysh nga mazhoranca shqiptare dhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar, projektrezoluta evidenton qarte se zgjedhjet e fundit parlamentare edhe pse përmbushën një pjesë të standardeve, ato paraqitën mangësi të theksuara, që, sipas raportit të OSBE-ODIHR-it, fillojnë me transparencën e procesit, presionin dhe kërcënimin që u është bërë votuesve, problemet në regjistrimin e tyre, si dhe monitorimi i votave të numëruara.
Për këtë arsye, sipas këtij dokumenti, duhet një hetim i shpejtë dhe efektiv i të gjithë autorëve të parregullsive në zgjedhjet e kaluara. Këto problematika të vërejtura në zgjedhje, sipas projektrezolutës së Kuntis, duhet të merren parasysh për t'u shqyrtuar, ndërsa ai u bën thirrjeve partive politike, që të zhvillojnë një dialog konstruktiv për të eliminuar këto probleme me qëllim që të mos prekin edhe zgjedhjet e ardhshme lokale.
Gjithashtu, kjo projektrezolutë kërkon nga forcat politike shqiptare vendosjen e një dialogu politik ndërpartiak për të kryer reformat politike, ekonomike dhe ato sociale në mënyrë që të bëjnë të mundur integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Një tjetër fushë ku projekt- rezoluta kritikon ashpër Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare është edhe sistemi i drejtësisë.
Raporteri Kuntis, në këtë projektrezolutë, thekson se reforma në gjyqësor është ende në fazat e para të zbatimit dhe sipas tij, duhet një strategji afatgjatë, si dhe miratimi i një legjislacioni, me qëllim që sistemi gjyqësor të ruajë efikasitetin e tij dhe pavarësinë nga qeveria si dhe nga presionet që mund ti vijnë nga pushtetet e tjera. Sipas projektrezolutës, një sistem gjyqësor i pavarur është kushti kryesor për integrimin e vendit në BE.
Në të evidentohet gjithashtu se me gjithë masa e marra deri më tani në luftën ndaj korrupsionit ende ky fenomen mbetet i ngulitur dhe për këtë duhet të merren hapa të mëtejshëm për të ndryshuar edhe situatën e mosndëshkueshmërisë.
Për sa i përket luftës ndaj trafiqeve të drogës dhe qenieve njerëzore, sipas projektrezolutës, nevojitet krijimi i një kuadri ligjor për të parandaluar në këtë mënyrë edhe krimin e organizuar.
Fushë tjetër ku kritikat janë të ashpra dhe të forta është edhe ekonomia. Edhe pse qeveria shqiptare ka deklaruar për rritje të ekonomisë shqiptare dhe se i ka rezistuar krizës botërore, në këtë projektrezolutë thuhet se gjendja ekonomike e Shqipërisë është e karakterizuar nga një rritje e ulët ekonomike, ekonomi e madhe informale, e cila promovon pasiguri të punës dhe në thelb dëmton të drejtat e punëtorëve.
Një pikë mjaft e rëndësishme e kësaj Projektrezolute është edhe politizimi i administratës shtetërore, si dhe punësimi në mënyrë fiktive në të. Pjesë e këtij dokumenti është edhe domosdoshmëria për lirinë e medias.