E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend debate per KQZ-ne PDOpozita kerkon te beje pazare

Seanca e sotme në Kuvend nisi me debate rreth zgjedhjes së anëtarëve dhe kryetarit të ri të KQZ-së. Mazhoranca akuzon opozitën për bllokimin e procesit, ndërsa socialistët kërkojnë miratimin në Kuvend të kandidaturave për anëtarë të Komisionit Zgjedhor dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të ri.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi shpjegime se përse miratimi i anëtarëve të KQZ-së nuk është përfshirë në rendin e ditës. “Pse sot në seancën e parlamentit nuk përmbushet një nga detyrat e parlamentit, për të miratuar anëtarët e KQZ”- u shpreh Ruçi
Kryeparlamentarja Topalli i është përgjigjur Ruçit duke thënë se KQZ nuk është në rendin e ditës, pasi opozita ka bllokuar procedurën për zgjedhjen e kryetarit në Komisionin e Ligjeve. Topalli u bëri thirrje deputetëve socialistë që të mos bllokojnë proceset, por të votojnë kërkesat e Brukselit.

“Votoni ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, për Gjykatën e Lartë dhe Nëpunësin Civil, bëni detyrën në Komisionin e Ligjeve dhe ejani të votojmë kreun e KQZ. Mos bllokoni.”- deklaroi Topalli.

Gjatë fjalës së tij kreu i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi akuzoi opozitën se ka zgjedhur bllokimin dhe pazaret edhe për çështjen e KQZ-së.
“Fryma e kodit kërkon konsensus dhe ne kemi pritur konsensusin. I kam kërkuar zotit Ruçi që ne t’i paraqesim njëri-tjetrit kandidaturat, por zoti Ruçi kërkoi kohë. Zgjedhjet nuk fitohen as me kodin elektoral as me anëtarët e KQZ-së, por zgjedhjet fitohen me qytetarët.”- u shpreh Patozi.

Deputeti socialist Pandeli Majko dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit parlamentar të Ligjeve, ka bërë me dije se opozita, në bazë të ligjit, ka eliminuar Endrit Rekën dhe Haki Mustafën nga gara për kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas kësaj faze, dy kandidaturat që pritet të shkojnë për votim në Kuvend, janë Marsida Xhaferllari dhe Lefterie Lleshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›