Kuvend, diskutohet ligji për Gjykatën e Lartë

Kuvendi i Shqipërisë po diskuton sot ligjin për Gjykatën e Lartë. Shqyrtimi i ligjit është shoqëruar me debate në sallën e Kuvendit mes mazhorancës dhe opozitës, ky kjo e fundit e ka kundështuar ligjin edhe më parë në komisionet parlamentare.
Mazhoranca ka theksuar sërish në seancën plenarare se ligji në fjalë është kërkesë për integrimin e vendit dhe reformën në drejtësi, ndërsa opozita ka kërkuar nga kryeministri të çlirojë Këshillin e Qarkut të Fierit.
Ligji kaloi nen për nen në komisionin e ligjeve pa votat e opozitës e cila ka deklaruar se nuk do të miratojë asnjë ligj pa u zgjidhur përfundimisht situata në qarkun e Fierit.
Partia Socialiste kërkon zbatimin e vendimeve të gjykatës për qarkun e Fierit, zhbllokimin e fondeve për pushtetin vendor dhe miratimin e reformës parlamentare në këmbim të votës së saj për ligjet të cilat kërkojnë 3/5 të votave.
Gjithashtu në seancën e sotme plenare pritet të miratohen edhe 4 kandidatët e paraqitur nga dy partitë e mëdha PD-PS për anëtarë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Partia Demokratike ka paraqitur si kandidatë të saj Vera Shtjefnin dhe Hysen Osmanajn ndërsa Partia Socialiste ka paraqitur dy kandidatët e saj Denar Biba dhe Albana Shtylla. Këto kandidatura u miratuan një ditë më parë edhe nga komisioni i ligjeve sipas të cilit ato i përmbushin kriteret e kërkuara.
Në rendin e ditës së Kuvendit janë përfshirë edhe projekligjet, për Nënpunësin civil dhe për Avokatinë dhe për Administratën Shtetërore për të cilat opozita ka braktisur mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe shqyrtimi i tyre është shtyrë.
Ndërkaq në seancën e sotme, pritet edhe interpelanca e ministrit të Brendshëm Flamur Noka e kërkuar nga deputeti I Partisë Socialiste Albert Çaçi.