E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Berisha: Shqipëria ia doli të ruajë rritjen ekonomike

"Shqipëria si pikë ujë në oqeanin global në këto vite ia doli të ruajë rritje ekonomike". Kështu është shprehur shefi i qeverisë Sali Berisha në konferencën mbi rritjen ekonomike në vend, organizuar nga Kryeministria

Sipas tij Shqipëria falë modelit ekonomik të suksesshëm i bëri ballë krizës ekonomike globale. 

"Shqipëria ia doli të ruajë një rritje ekonomike 4 herë më të madhe se sa mesatarja e rritjes ekonomike të rajonit. Ndonëse i ndeju pasojat e krizës Shqipëria nuk ra në recession. Modeli i saj ekonomik funksionoi por ai ka nevojë për vitet që vijnë për një përmirësim të mëtejshëm në mënyrë që ne të mbetemi vend me rritje ekonomike” theksoi Berisha.

Ai ka theksuar gjithashtu se Shqipëria mbetet si një ishull me raport me vendet e tjera për sa i përket borxhit publik.

"Shqipëria ka një borxh publik rreth 60 përqind por ky borxh është i tëri i kontraktuar me ligjin e artë ekonomik, borxh vetëm për investimet. Dhe kjo ka bërë që Shqipëria të ketë ulje të borxhit publik me 1-2 përqind dhe kjo në sajë të reformave ekonomike dhe lirisë ekonomike” shtoi Berisha.

Ndërsa e cilësoi rritjen ekonomike si gjeneratorin kryesor të punësimit, të mirëqënies dhe zhvillimit të ardhurave, kryeministri Berisha kërkoi edhe bashkëpunimin e ekspertëve për  përballimin e krizës.
 

"Ne hapin siparin e një konsulte të gjerë me grupet e ndryshëm. Çëshjta që trajtojmë është më e rëndësishmja dhe kryeçështja e programit të qeverisë dhe programit të ardhshëm. S`ka dyshim që mendimet dhe idetë tuaja janë të një vlerë të veçantë për programin e ardhshëm të qeverisë” shtoi Berisha.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›