Kuvendi: Makinën e kishim në plan, por nuk do ta blejmë
Shkrimi i djeshëm i Shekullit në lidhje me planin e Kuvendit të Shqipërisë për të blerë një makinë, fakte të cilat dalin nga buxheti i vitit 2012 i këtij institucioni, ka bërë që ky institucion të shpjegojë rrethanat e kësaj situate. Marlind Myftoi, Sektretari i Përgjithshëm i Kuvendit shpjegon se makina VIP me vlerë 24 milionë lekë, fillimisht ka qenë në plan për tu blerë, por kjo nuk është realizuar me kërkesë të vetë Kryeparlamentares. Në prill 2011 ka pasur një kërkesë nga administrata e Kuvendit për blerje autoveture, por bëhej fjalë për një autoveturë që do të përdorej, jo për titullarin, por për delegacionet e huaja të nivelit të lartë, – shprehet Marlind Myftiu.
Shekulli shkroi dje mbi kërkesën që Kuvendi i kishte dërguar Ministrisë së Financave për të financuar blerjen e një autoveturë me vlerë 24 milionë lekë. Blerja e kësaj makine justifikohet nga Kuvendi me amortizimin e automjetit që ka në përdorim aktualisht Kryetarja Jozefina Topalli, e cila herë pas herë ia ve në dispozicion edhe homologëve të saj që vizitojnë Shqipërinë. Ja çshkruhej në kërkesë: Autovetura VIP, TR 0015Z, prodhim i vitit 2003, (9 nëntë) vite në përdorim paraqitet: Amortizimi Kontabël mbi 90 për qind, fizik më shumë se 60 për qind. Konsumon pjesë këmbimi 1 000 000 lekë çdo vit duke paraqitur defekte të ndryshme dhe të përsëritshme. Shpesh është futur në defekt gjatë momentit të kryerjes së lëvizjes. Amortizimi i përgjithshëm i saj dhe problemet që paraqet gjatë shfrytëzimit na bënë që të vlerësojmë: Për pozicionin ku shërben kjo autoveturë nuk garanton më tej shërbimin për Titullar Shteti.
Objekt kryesor i artikullit të djeshëm ishte administrata e fryrë e Kuvendit si edhe përfitimet e Kryetares Topalli. Përveç pagës 227 mijë lekë në muaj, nga të dhënat e buxhetit rezulton se ajo përfiton edhe 108 mijë lekë dieta në muaj.
