E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi: Ngritja e Komisionit Hetimor, në përputhje me rregulloren; Gumi: PS t’u faktojë shqiptarëve se do vërtet transparencën e kërkuar

Bien poshtë pretendimet e Edvin Kristaq Krizës (2K) se vendimi i marrë nga Kuvendi për ngritjen e Komisionit Hetimor, është në shkelje me rregulloren e institucionit. Pas deklaratave të kryetarit të PS-së Edi Rama ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit nëpërmjet zëdhënëses Suela Ruseti. Në një njoftim për shtyp zëdhënësja Ruseti ka sqaruar se vendimi për ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet është në përputhje të plotë me rregulloren.
Sipas Rusetit, rregullorja e parlamentit parashikon se nisma mund të terhiqet para votimit, por asnjë nga deputetet nismëtarë depozitoi një kërkese të tillë. Edhe nominalisht tërheqjen e deklaroi vetëm deputeti Taulant Balla; dhe sipas zëdhënëses së Kuvendit mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, përgënjeshtrojnë pretendimin për shkelje të procedurave.
“Mbrëmë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 73 vota ngritjen e Komisionit Hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Kuvendi e mori këtë vendim me përgjegjshmëri të thellë dhe me vendosmërinë se të gjitha të vërtetat lidhur me procesin zgjedhor më të mirë, më të lirë, më të ndershëm që shqiptarët kanë zhvilluar ndonjëherë, duhet të dalin në dritën e diellit. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste refuzoi në seancën e djeshme t’i qëndronte këtij angazhimi dhe kësaj vendosmërie për transparencë. Grupi parlamentar i PS-së u përpoq të pengonte ngritjen e komisionit nëpërmjet përdorimit të trukeve proceduriale. Pretendimi i kryetarit të grupit të PS-së për tërheqje nga nisma për ngritjen e komisionit u përgënjeshtrua nga vetë deputetët e tij. Sipas Rregullores së Kuvendit nisma mund të tërhiqet deri përpara votimit në parim të saj. Konfirmojmë zyrtarisht se, deri në këtë moment asnjë nga deputetet nismëtar nuk kishte depozituar kërkesë për tërheqje nga nisma. Në këto kushte, Kryetarja e Kuvendit, në zbatim të detyrës dhe të Rregullores, u kërkoi deputetëve nismëtarë të deklaronin nominalisht vullnetin e tyre për tërheqje nga nisma. Me përjashtim të zotit Taulant Balla asnjë nga koleget e zotit Ruçi nuk u bashkua me të. Mungesa e deklarimit me shkrim dhe mungesa e deklarimit në seancë për tërheqje nga nisma, janë fakte që përgenjeshtrojnë çdo lloj pretendimi për shkelje të procedurave. Me votimin e mbrëmshem, Kuvendi jo vetëm ka respektuar të drejtën kushtetuese të 35 deputetëve nismëtarë për të ngritur komision hetimor, por edhe ka zbatuar me fanatizëm dhe korrektesë absolute ligjore, Rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Roseti.
Sipas saj, Kryetarja e Kuvendit i kërkon kryetarit të Partisë Socialiste, të lejojë deputetët e tij të marrin pjesë në jetën parlamentare, i kërkon që të lejojë grupin parlamentar të sjellë emrat e anëtarëve në komision, i kërkon që të lejojë deputetët e tij që të bëhen pjesë e transparencës dhe respektimit të Kushtetutës së vendit.


Gumi: PS t’u faktojë shqiptarëve se do vërtet transparencën e kërkuar/Deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës Viktor Gumi, i apelon deputetëve socialistë, të ndjekin punimet e këtij komisioni, e cila as më shumë e as më pak, është nisma e kërkuar nga opozita këtu e 7 muaj më parë. Gumi tha se mos pjesëmarrja në Komisionin Hetimor fakton qartë se opozita nuk do hetimin e zgjedhjeve, por të sajojë tymnaja, vetëm e vetëm për hir të interesave të Edi Ramës dhe klanit të tij udhëheqës.


Deklarata e plotë për shtyp e deputetit Viktor Gumi: “Në vijim të binomit kushtetushmëri – transparencë Partia Demokratike fton Partinë Socialiste dhe zotin Edi Rama dhe të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të marrë pjesë aktivisht në nismën e Kuvendit për transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009, në përputhje me vendimin e djeshëm të miratuar prej Kuvendit. Për zgjedhjet më të mira që kanë pasur shqiptarët këto 20 vjet, dje socialistët treguan se nuk iu intereson transparenca, por tymnaja dhe vetëm tymnaja për cështjen e zgjedhjeve. Hetimi parlamentar i zgjedhjeve ka qënë kryefjala e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të gjithë këtë kohë, dhe dje pas një pune të përgjegjshme disa javore të Komisionit të Ligjeve dhe të diskutimeve në seancë plenare, Kuvendi i celi dritën jeshile hetimit kushtetues të zgjedhjeve të përgjithshme. Por dje Partia Socialiste provoi se nuk e do transparencën, dje Partia Socialiste refuzoi të bëjnë transparencën e zgjedhjeve. Për Kuvendin e Shqipërisë është realizuar dhe përmbyllur, në përputhje me Kushtetutën, një temat më të nxehta të jetës politike në këto shtatë muaj të cilat përbënin njëkohësisht edhe flamurin e betejës politike të opozitës. Për pasojë, tani ajo që mbetet është zbatimi në praktikë i vendimit të Kuvendit. Mazhoranca deklaron se do t’i qëndrojë të gjithë atyre premtimeve të bëra publikisht, duke realizuar kështu edhe parakushtet e tjera të deklaruara për arritjen e konsesusit politik, me qëllim ushtrimin e rolit kontrollues të Kuvendit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›