Lajmi/Vendimi për heqjen e vizave merret në prill

S’ka pasur sukses fushata e opozitës kundër lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, gjatë vizitës në Tiranë i ka bërë apel opozitës të ndalë njëherë e mirë bojkotin e parlamentit, ndërkohë që ka vlerësuar se Shqipëria është në rrugën e duhur për liberalizmin e vizave dhe se vendimi i pritshëm do të merret në mesin e muajit prill, çka do u mundësojë shqiptarëve kalimin e pushimeve verore në destinacionet e tyre të preferuara në Evropë
Bashkimi Evropian kërkon dhënien fund aludimeve të pabaza të socialistëve lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. I dërguari i Brukselit, Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, deklaroi dje gjatë vizitës së zhvilluar në Tiranë se BE inkurajon gjetjen e një rrugëzgjidhjeje pa humbur kohë, pasi në të kundërt kjo përbën një kosto të frikshme për proceset e integrimit evropian. Në takimin me kryeministrin Sali Berisha, Fule u shpreh se Shqipëria ka bërë shumë hapa përpara kohët e fundit për të përmbushur kushtet dhe qeveria që e drejton atë aktualisht, ka lëvizur në drejtimin e duhur. Një fakt të tillë, kryeministrit Berisha ia komunikoi publikisht gjatë një konference për shtyp, vetë Komisioneri evropian për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, Stefan Fule, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Sipas Fules, “fakti që ju i keni plotësuar të gjitha pyetjet e Pyetësorit flet për arritjet tuaja, pasi nuk është në fakt aspak detyrë e lehtë”. “E vlerësoj angazhimin e kryeministrit dhe qeverisë së tij për një luftë me tolerancë zero kundër krimit dhe korrupsionit”, tha më tej ai. Ndërsa kryeministri Berisha deklaroi edhe në prani të Komisionerit evropian se “pala jonë është e gatshme të firmosë me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian të gjitha marrëveshjet e nevojshme për parandalimin e krimit të organizuar dhe trafiqeve”. “Ndërsa sa i përket çështjes së ngërçit politik, u shpreha dakord me deklaratën e Fules se zgjidhja duhet të vijë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe transparencës”, ka thënë më pas Berisha. Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefan Fule vlerëson progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Në takimin e zhvilluar me kryeministrin Berisha, Fule vërejti ecurinë pozitive të reformave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e konsideruar këtë si një zbatim të detyrimeve të BE. “Përgëzoj vendin tuaj, për arritjet në përmbushjen e aspiratave evropiane. Fakti që jemi në procesin e përgatitjes së opinionit dhe se presim përgjigje për shumë prej pyetjeve që kemi dërguar, mendoj se është prova më e mirë për progresin tashmë të arritur nga vendi juaj në një detyrë jo dhe aq të lehtë. Në diskutimin tonë, i theksova Kryeministrit dhe delegacionit të tij, rëndësinë e pjesës politike të Kritereve të Kopenhagenit. Në qendër të përpjekjeve tona dhe në fokus të Shqipërisë do të jetë fakti se si Shqipëria po trajton Kriteret e Kopenhagenit, konkretisht: Liritë Themelore, Shtetin Ligjor dhe Forcimin e Demokracisë. Në këtë kontekst e vlerësoj angazhimin personal të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare për tolerancën zero kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar. Por, i shpreha gjithashtu se ne do të vlerësojmë në atë opinion, jo vetëm angazhimin, por gjithashtu edhe zbatimin dhe veprat konkrete”, u shpreh Fule. Përsa i përket liberalizimit të vizave, Fule dha lajmin e mirë për të gjithë shqiptarët se Komisioni Evropian do të japë vendimin për këtë proces, brenda muajit prill. “Dua të theksoj se për sa i përket veprave, liberalizimi i vizave ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur. Kohët e fundit, Shqipëria ka bërë shumë progres në implementimin e udhërrëfyesit. Kolegët e mi në Komision po punojnë për të prezantuar muajin tjetër një vlerësim, dhe bazuar në të, një propozim se si duhet të veprojë më tej, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian”, deklaroi Komisioneri Fule. Duke u ndalur te situata politike në vend, Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, ritheksoi edhe njëherë se bojkoti është i dënueshëm dhe se për aspiratat e Shqipërisë është një penalitet më vete. “Një çështje e rëndësishme do të ishte situata e tanishme politike dhe në veçanti debati në Parlament. Më lejoni të përdor këtë mundësi, gjithashtu edhe faktin që z. Kryeministër iu referua asaj deklarate, ta lexoj edhe njëherë: Një parlament thellësisht funksional është thelbësor për një funksionim të plotë të demokracisë. Nëse ngërçi politik vazhdon, kjo me të vërtetë mund ta pengojë Shqipërinë në arritjen e standardeve politike të pritshme nga një vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike, në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Evropian. Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Në interes të vendit të tyre dhe të perspektivës së integrimit evropian, liderët politikë të Shqipërisë duhet të përballen tani me këtë sfidë në mënyrë konstruktive dhe në frymën e Bashkimit Evropian”, deklaroi më tej, komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule.
Vizita/Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fule mbërriti dje në Shqipëri, ku u prit fillimisht nga ambasadori i KE-së Helmut Lohan dhe pas takimit të zhvilluar me Presidentin e Republikës, u prit në ambientet e kryeministrisë nga kryeministri Sali Berisha.Në deklaratën e tij për mediat para takimeve me krerët më të lartë të shtetit Komisioneri për zgjerim Stefan Fule theksoi se nëse ngërçi politik vazhdon atëherë do të ketë pengesa për arritjen e standardeve. Ai shtoi gjithashtu se një parlament funksional është thelbësore për demokracinë e një shteti duke theksuar se dialogu politik bëhet në Parlament. “Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Evropian”, shprehet Fule. Axhenda e Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fule, vijoi me takime kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Vizita e Komisionerit për zgjerimin në Tiranë bëhet në kuadrin e një turi në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor; për të diskutuar përparimin e secilit prej këtyre vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Stefan Fule: “Bojkoti cenon rëndë demokracinë, zgjidhja e ngërçit vetëm sipas Kushtetutës”
“Një parlament thellësisht funksional është thelbësor për një funksionim të plotë të demokracisë. Nëse ngërçi politik vazhdon, kjo me të vërtetë mund ta pengojë Shqipërinë në arritjen e standardeve politike të pritshme nga një vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Evropian. Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Në interes të vendit të tyre dhe të perspektivës së integrimit evropian, liderët politikë të Shqipërisë duhet të përballen tani me këtë sfidë në mënyrë konstruktive dhe në frymën e Bashkimit Evropian”. Kjo është deklarata për shtyp e Komisionerit për Zgjerimin të Bashkimi Evropian, Stefan Fule, përpara mbërritjes në Tiranë. Fule apeloi se bojkoti është duke cenuar demokracinë ndërsa sugjeron zgjidhje të situatës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Sipas tij, është qartësisht se njohur se nëse nuk tejkalohet situata, do të ketë pasoja për proceset e integrimit të Shqipërisë.
...