E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, fuqia largpamëse rajonale që pret të zbulohet

Vetëm pak dy dekada më parë, Shqipëria ishte një vend i panjohur dhe i çuditshëm për botën. I sunduar prej Mbretit Zog dhe më pas nga një stalinist i çuditshëm, i konvertuar në maoist - ky ishte Enver Hoxha; Shqipëria komuniste në Europë i ngjante Koresë së Veriut në Azi. Edhe Hollivudi u përfshi në enigmën e imagjinimit të kësaj Shqipërie, me dy filma komedi. Dy filma datojnë 1990, siç ishte “Wag the Dog” dhe “Tune In Tomorrow”, ku komunistët shqiptarë ridikulizohen në shkallë globale. Por tani ka ardhur koha që ta rifreskojmë imazhin që kemi për Shqipërinë. Ajo po shfaqet si një fener stabiliteti në politikën e jashtme të Ballkanit Perëndimor. Vetëm në një dekadë më parë, ky rajon prodhonte luftën më të tmerrshme në Europë, qysh prej Luftës së Dytë Botërore, kurse sot Shqipëria po ecën përtej këtij konflikti, duke punuar me fqinjët e saj për të minimizuar sa më shumë urrejtjen etnike, duke u afirmuar si një aleat i qëndrueshëm i Perëndimit. Shqipëria është përshtatur me entuziazëm me NATO-n, duke u anëtarësuar në të, dhe në këto ditë të vështira, ka dërguar trupa komando që janë mirëpritur në Afganistan, çka në fakt kontraston me shumë vende të Europës, në të cilat ka humbur guximin për të luftuar.


Kemi një kontrast kuptimplotë me pushtetet që gjallojnë në Ballkan, veçanërisht me Serbinë. Serbia është ende e nxehur në kushtet e humbjes së Kosovës (ku pakica serbe tani është e qeverisur nga shqiptarët, në shumicë myslimanë).


Por, Shqipëria asnjëherë nuk ka pranuar të mbështesë separatistët që janë në mesin e pakicës shqiptare në Maqedoni. Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, flet edhe për vështirësitë e natyrshme që ka bashkëbisedimi me Serbinë kur flitet për pavarësinë e Kosovës, meqë Kosova është kryesisht shqiptare. Beogradi kundërshton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga kancelaritë e Uashingtonit, Londrës, Berlinit e Parisit dhe bazohet kryesisht tek mbështetja e Moskës në lindje dhe e Madridit në perëndim për të ruajtur sajesën se Kosova është ende pjesë e Serbisë. Shqipëria i injoron pretendimet e Beogradit, por mbi të gjitha ajo po synon të ndërtojë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe i inkurajon serbët t’i kalojnë pushimet në bregdetin e Adriatikut. Asnjë fuqi tjetër rajonale s’e ka treguar këtë gatishmëri për të braktisur konfliktet e vjetra. Maqedonia mbetet e bllokuar në një politikë absurde grindjeje me Greqinë rreth emrit “Maqedoni” të popujve që jetojnë brenda këtij territori. Nga kjo përplasje, Greqia ka vendosur bllokadën e integrimit në strukturat e BE-së, NATO-s apo edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.


Shqipëria, ndërkohë, e ka harruar Luftën e Ftohtë me rivalin e Greqisë dhe tani i ka hapur dyert e saj për investimet greke. Kroacia është ende e bllokuar në një sherr me Slloveninë në lidhje me një copë të vogël bregdeti që i lejon Sllovenisë hyrjen në Adriatik, kurse Bosnje-Hercegovina s’ka qenë në gjendje të krijojë një administratë shtetërore të përbashkët për të tre etnitë; serbët, myslimanët dhe kroatët.


Shqipëria shfaqet largpamëse në politikën e saj të jashtme, megjithatë, jo e njëjta perspektivë përkthehet në politikën e saj të brendshme. Skënderbeu është heroi i kombit, një luftëtar mesjetar, imazhi i të cilit është i shfaqur në të gjithë vendin. Qëkur Shqipëria la pas komunizmin primitiv, pas vitit 1990, liderët e saj demokratikë kanë kërkuar gjithmonë t’i ngjajnë Skënderbeut. Betejat zgjedhore dikur janë luftuar në traditën e “gjakmarrjes”, e sanksionuar në kanunin mesjetar të Lekë Dukagjinit, gjë që kërkon hakmarrje mbi çdo armik. çdo votim prodhon ulëritje për manipulim dhe një fitimtar që “i merr të gjitha”, duke kapur pushtetin, në të cilën fitimtarët shpërblejnë miqtë e tyre në biznes.


Analistët e politikës shqiptare - që nuk janë një grup i madh - shikojnë përtej Adriatikut dhe admirojnë udhëheqjen midis politikës dhe biznesit të Kryeministrit Silvio Berluskoni në Itali. Modeli mbetet një shenjë e sigurt e standardeve të ulëta ku ka rënë pre shqiptarët.


Shqipëria do ta përdorë anëtarësimin në NATO, si një gur shahu për t’u pranuar në BE. Por përfaqësuesit e BE-së në Tiranë thonë se më parë duhet të vijnë reformat e mëdha zgjedhore dhe administrative. Pas debateve e pretendimeve të opozitës, se partia në pushtet e ka mbushur të paktën një kuti votimi me fletë të trukuara, gjashtë muaj më vonë, PS e ka ndërprerë bojkotin dhe tani po i pranon rezultatet, paçka se po proteston për reforma që duhet të parandalojnë manipulimin e votave në të ardhmen.


Shqipëria ka një shumicë myslimane, por të krishterët e vendit jetojnë në harmoni dhe tolerancë të plotë me Islamin. Nëse Europa dëshiron të ketë një model të bashkëjetesës midis myslimanëve dhe feve të tjera, Shqipëria e ofron padyshim këtë. Ka pasur më shumë hebrenj në Shqipëri në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa në fillim të saj. Si traditë Shqipëria është shumë mikpritëse dhe i ka strehuar pa dallim refugjatët hebrenj që kërkonin të fshiheshin aty. Shqipëria ka një vijë bregdetare akoma të virgjër në Europë dhe malet veriore janë ende të pazbuluar nga turizmi. Megjithatë, për t’u zbuluar si një gur i çmuar, Shqipëria duhet së pari të bëhet një demokraci që funksionon.



Autori i shkrimit është një eksponent i laburistëve dhe ish-ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›