Kuvendi diskuton sërish sot për programin, pritet votimi i qeverisë së re
Pas disa orësh ndërprerje, Kuvendi i Shqipërisë rinis sot punimet për të vijuar me diskutimet për programin e qeverisë Rama. Kreu i Kuvendit Ilir Meta njoftoi mbledhjen e konferencës së kryetarëve rreth orës 9:00 për të vijuar më pas me seancën ku pritet të bëhet edhe votëbesimi i qeverisë.
Seanca e djeshme e Parlamentit zgjati rreth 14 orë ku deputetët e opozitës e kundërshtuan programin duke akuzuar shumicën për mungesë shifrash, faktesh e afatesh se kur do realizojnë premtimet e bëra në fushatë.
Ndërsa që mazhoranca ka mbrojtur programin, si ai për të cilin kanë nevojë shqiptarët, për një jetë më të mirë.
Seanca ka kulmuar me përballjen e dy Kryeministrave, Berishës dhe Ramës. Në fjalën e tij, Berisha paralajmëroi mazhorancën se në rast të mospërmbushjes së premtimeve ajo të përballet me betejën e opozitës.
Sali Berisha do të votojë çdo premtim të tij në parlament, ndonëse nuk i bëja kurrë sepse ato janë rrënim i gjithëanshëm. Nëse u ke marrë votën duke i mashtruar, nuk do njohim kufij, nuk do lemë betejë pa zhvilluar për të çuar në piedestal dinjitetin e nëpërkëmbur të qytetarëve shqiptarë. Përgatitu beteja është e fortë, ke premtuar 300 mijë vende pune, asnjë vend pune nuk justifikon sot, ke premtuar ulje çmimesh, asnjë çmim nuk mund të ulësh ti deklaroi Berisha.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga opozita e sotme të ngrihet në nivelin e mirësjelljes. Ne jemi këtu për ti ngritur kokën Shqipërisë e jo të gjejmë kokën tuaj. Ju keni të drejtë, pasi keni vite që keni harruar se çështë një program që i paraqitet Kuvendit për miratim tha Rama.
Duke u ndalur në deklaratën e Berishës, Rama iu drejtua se Kur ha një milionë shuplaka, mendjet o të vijnë, o të ikin aq larg sa duhen vite për ti kapur.
Rama iu referua edhe shifrave të publikuara së fundi nga INSTAT-i, që raportojnë rritje të nivelit të varfërisë në vend, gjatë katër viteve të fundit.
“Krahu i armatosur me shifra të rreme i qeverisë së ikur, INSTAT-i dora vetë, sapo publikoi një dokument ku thotë se në katër vitet e fundit, varfëria nuk është tkurrur, por është futur më thellë. Sipas tij, varfëria nga 12.4% është rritur në 13.4%, ç’ka do të thotë se vetë INSTAT-i pranon se 30 mijë shqiptarë më shumë kanë rënë në humnerën e varfërisë”, shtoi më tej Rama.
Ashtu si edhe ditën e djeshme, Kuvendi pritet që të zhvillojë një seancë maratonë ku do të diskutohet për programin qeverisës dhe më pas do të votohet edhe qeveria e re.