Kuvendi e dërgon në debat publik Projektplanin zhvillimor urban për periudhën 2013 -2022
.jpg)
Këshilltarët e Kuvendit në mbledhjen e shtatë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, unanimisht aprovuan propozimvendimin për lënien në dispozicion për diskutim publik të Projektplanit zhvillimor urban për periudhën 2013 – 2022. Projektplani i miratuar, iu lihet në dispozicion për shqyrtim dhe vlerësim publikut, agjencive, drejtorive dhe subjekteve të tjera për shqyrtim dhe komente, në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Shpallja e shqyrtimit publik do të bëhet në media të shkruara dhe elektronike të informimit publik 8 ditë para fillimit të shqyrtimit publik me të cilën, do të bëhet informimi për vendin, ditën e fillimit dhe kohëzgjatjen e shqyrtimit publik. Projektplani përbëhet nga pjesa tekstuale dhe grafike. Pjesa tekstuale e Planit përmban: profilin e zhvillimit hapësinor dhe analizën e gjendjes, vizionin, parimet dhe caqet, kornizën e zhvillimit hapësinor, strategjitë dhe dispozitat për zbatim. Pjesa grafike e Planit përmban të dhënat hartografike dhe pjesët tjera grafike, ku përshkruhet gjendja në hapësirë dhe ndërhyrjet në të, të cilat paraqesin tërësinë e zgjidhjeve të planifikuara.
Hartuese e këtij plani është konzorciumi Hidroing-DK Sh.p.k. & EKONERG d.o.o. & Urbanistica. Puna e konzorciumit gjatë hartimit të këtij Plani, në raport me Drejtorinë, stafin mbikëqyrës dhe projekt menaxherët është zhvilluar kryesisht në punëtori të cilat janë mbajtur në vazhdimësi. Gjatë fazës së parë është mbajtur diskutimi publik me dt. 13.09.2012, me pjesëmarrje të Institucioneve si: MMPH, Hortikultura, KEK, Ujësjellësi, IHMN, KKTK, Bashkësitë Lokale, Këshilli i ekspertëve, Mediat, OSCE, DSHMS, USAID, Muzeu, Komunat Regjionale, KOSTT,
Ministria e Minierave, MBPZHR, MAP, shoqëria civile përmes OJQ-ve dhe institucione tjera.
Gjatë fazës së dytë janë mbajtur dhjetë punëtori dhe prej kompanive është kërkuar të prezantohen edhe grafikisht pranë DUNMM dhe atë disa nga punëtoritë janë mbajtur me palët në interes si MMPH, Drejtoria e Hekurudhës, Drejtorit komunale, Kryetarin e Komunës. Gjatë këtyre punëtorive është kërkuar zgjerimi i kufijve të qytetit në pjesën veriore.
Po ashtu, gjatë fazës së dytë janë mbajtur dy diskutime njëra në nivel ekspertësh me dt. 12.11.2012 dhe tjetra me shoqërinë civile, OEK, Ministritë relevante dhe bashkësitë lokale me dt. 18.12.2012. Gjatë fazës së tretë janë mbajtur njëmbëdhjetë punëtori dhe prej kompanive është kërkuar përsëri të prezantohen materialet edhe grafikisht pranë DUNMM.
Gjatë fazës së tretë të hartimit të këtij Plani është mbajtur punëtoria dyditore me dt. 13-14.04.2013, me pjesëmarrje të ekzekutivit të Komunës dhe një pjese të këshilltarëve të Kuvendit të Komunës.
Po ashtu, sipas sugjerimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe bazuar në Ligjin për vlerësimin strategjik mjedisor Komuna sipas procedurave konkurruese ka angazhuar kompaninë "Integral" për hartimin e vlerësimit strategjik mjedisor për Planin Zhvillimor Komunal dhe atë Urban, ndërsa prezantimin e vlerësimit Strategjik Mjedisor të këtij Plani do ta bëjë pas përfundimit të debateve publike dhe përfundimit të procedurave tjera të parapara ligjore, i cili vlerësim do të paraqes pjesë përbërëse të Planit Zhvillimor Urban. /Indeksonline/