MMPH përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese për "Bjeshkët e Namuna"

(E plotësuar) Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka hedhur poshtë kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Parkun Nacional "Bjeshkët e Nemuna".
"Ne duhet të mësohemi dhe t'i gëzohemi kujdesit të shtetit ndaj pasurive natyrore që kemi, siç janë "Bjeshkët e Namuna" dhe "Malet e Sharrit" dhe në asnjë mënyrë të mos provojmë që për shkak të interesave të ngushta të lejojmë shkatërrimin e pasurive tona natyrore, mbrojtja dhe kultivimi i të cilave është interes i përbashkët i gjithë ne " - ka thënë ministri Gashi.
Muajin e kaluar në Berlin, Iniciativa Evropiane e Rripit të Gjelbërt përzgjodhi Republikën e Kosovës në grupin e parë të shteteve më të sukessshme në përshkutim ndaj mjedisit, pas shumëfishimit të hapësirave të mbrojtura me ligj.
Gjatë dy vjetëve të fundit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në krye me ministrin Dardan Gashi, ka krijuar një sërë ligjesh, ndër të cilat ai për Parqet Nacionale, duke intervenuar dhe në mbrojtjen e mjedisit, ndër të cilat vendimi për ndalimin dhe eksploatimin e zhavorit dhe rërës, vendimi për ndalimin e të gjitha aktiviteteve në fshatin turistik Prevallë, e të tjera.
..............
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga Demë Dashi dhe Ali Lajçi si përfaqësuesi i Komunës së Pejës të cilët kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Parkun Nacional "Bjeshkët e Nemuna"
Demë Dashi i cili përfaqësonte banorët e asaj ane, ishte ankuar se ky ligj është kundër të drejtave themelore të njeriut, sepse nuk e respekton të drejtën e pronës.
Ali Lajçi Lajçi si përfaqësuesi i Komunës së Pejës pretendonte se Ligji zvogëlon dhe cenon pronën e komunës dhe i cenon interesat e saj, përkatësisht zvogëlon të hyrat.
Gjykata Kushtetuese në arsyetimin që i bën vendimit të marr, e të cilin e ka siguruar portali "Ferma Ime", thekson se parashtruesi i parë, (Demë Dashi) nuk mund të konsiderohet palë e autorizuar që mund t'i adresoj çështjet kushtetuese in abstracto përkitazi me vlerësimin kushtetues të Ligjit, duke kërkuar që të sigurojë një mjet juridik në emër të interesit kolektiv.
Ndërsa sa i përket parashtruesit të dytë (Ali Lajçi) Gjykata përkujton se, më 21 mars 2013 ishte kërkuar nga Komuna e Pejës që të dorëzoj sqarime shtesë dhe prova me të cilat do ta mbështetnin bazën juridike të kërkesës, gjegjësisht si dhe pse ligji i kontestuar cenon përgjegjësisë të Komunës dhe i zvogëlon të ardhurat e saj. Megjithëse, Lajçi me 8 Prill ishte përgjigjur dhe kishte dërguar dokumente të ndryshme, Kushtetuesja ka konsideruar se sqarimi fillestar por edhe ai shtesë (i dorëzuar më 8 prill) nuk ishin domethënëse.
Më tutje në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se kjo çështje është adresuar në mënyrë joligjore, sepse as Dashi e as Lajçi nuk janë palë të autorizuara për Gjykatën Kushtetuese./Indeksonline/