E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi hetim për kandidatët e Topit

15/06/2010 Komisioni i Ligjeve u dërgon letër disa prej institucioneve kryesore në vend

Muçmataj, Çomo dhe Bici do dëgjohen veç e veç nga ligjvënësi

Kuvendi, ndryshe nga seancat e mëparshme dëgjimore, do të kryejë një analizë të hollësishme për kandidaturat e Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi dje kalendarin e punimeve, ku kishte programuar zhvillimin e seancave dëgjimore në një mbledhje komisioni për secilin kandidat, duke filluar nga java e ardhshme. Në këtë mënyrë kandidatët e Presidentit do ti nënshtrohen procedurave të reja, që Kuvendi do të përcaktojë në Rregulloren e Kuvendit në seancën e së enjtes. Ata do të kalojnë në sitën e komisionit gjatë një afati kohor prej tetë javësh, si dhe do të votohen në mënyrë të hapur. Gjithashtu mazhoranca do të rivlerësojë edhe mundësinë e rithirrjes në seancë dëgjimore të kandidatëve më shumë se një herë. Aktualisht komisioni po grumbullon informacionet e nevojshme për secilin kandidat para se të nisë procedurat e tij. “Nga një pjesë e kolegëve, si Gumi, Trashani, janë paraqitur pyetje apo kërkesa, të cilat kërkojnë dhe një volum të madh përgjigjesh. Një pjesë e përgjigjeve do të jepen me shkrim, paraprakisht, dhe presupozoj se seancat dëgjimore do të marrin kohë. Kemi caktuar tri ditë për të tre, kalendari na e lejon, kështu që nuk ka problem për këtë. Më është kërkuar nga kolegët mundësia eventuale e thirrjes në seancë, të njoftohen se mund të rithirren në seancë në varësi të përgjigjes që do të japin dhe u kam thënë se, mund të mbyllet me një seancë, por mund të mos mbyllet”, - sqaroi anëtarët kryetari i komisionit Ilir Rusmali. Për të tre kandidatët Kuvendi u ka kërkuar informacione shtesë disa institucioneve lidhur me performancën e tyre. “Kam përcjellë disa kërkesa në disa nga institucionet lidhur me performancën e këtyre njerëzve te institucionet që kanë lidhje, siç është Prokuroria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë, Dhoma e Avokatisë dhe te Drejtoria e Përgjithshme Taksave dhe Tatimeve për një rast”, - tha Rusmali. Në fund të muajit maj Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Vexhi Muçmataj, Sokol Çomo dhe Medi Bici janë tre emrat e zgjedhur nga kreu i shtetit, të cilët i janë propozuar Kuvendit të Shqipërisë për miratim. Ndryshe nga paraardhësit e tyre, ata do ti nënshtrohen një votimi të hapur dhe shqyrtimi i figurës së tyre profesionale dhe personale do ti nënshtrohet një “hetimi” të plotë dhe të hollësishëm nga Kuvendi. Ndryshimi i rregullave të lojës për këta kandidatë erdhi pas debateve që lindës menjëherë pasi Kuvendi rrëzoi kandidaturën e Vangjel Kostës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të propozuar nga Presidenti. PD-ja mori vendim politik kundër kësaj kandidature, pasi konstatoi se Kosta kishte marrë pjesë në një proces gjyqësor politik në vitet e komunizmit. Ndërkombëtarët e dënuan këtë mënyrë vendimmarrjeje, pasi gjykuan se mazhoranca u mbështet në ligjin e lustracionit, ligj që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues.

Seanca dëgjimore

Tre kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Vexhi Muçmataj, Sokol Çomo dhe Medi Bici, do të kalojnë një nga një në sitën e Komisionit të Ligjeve. Ky komision ka planifikuar zhvillimin e seancave dëgjimore javën e ardhshme, ku kandidatët mund të rithirren në seancë.

Votimi

Kuvendi do të shqyrtojë seancën e kësaj të enjte shqyrtimin e projektvendimit “Për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”. Sipas këtyre ndryshimeve, dekretet e Presidentit do të shqyrtohen në tetë javë nga Komisioni i Ligjeve dhe do të votohen hapur.

Dekretet

Kuvendi është në pritje të katër kandidaturave të Presidentit të Republikës për katër vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese. Këtë vit u përfundoi mandati gjatë anëtarëve të Kushtetueses. Presidenti dekretoi tre kandidatë, nga të cilët Kuvendi miratoi vetëm dy.

Kuvendi vijon diskutimin e projektit

Falja, opozita kufizon të drejtën e Presidentit

Presidenti i Republikës 3 muaj para dhe po kaq muaj pas datës së dekretuar prej tij për zgjedhje nuk mund të firmosë dekrete faljesh për të dënuarit. Ky është propozimi që opozita i ka prezantuar dje Komisionit të Ligjeve për miratim lidhur me diskutimet për projektligjin “Për faljen”. Gjithashtu në listën e amendamenteve përfshihet edhe propozimi për zgjerimin e kategorive, praktikisht edhe bashkëshortit, për të paraqitur kërkesën për faljen për të dënuarit. Komisioni i Ligjeve u njoh me këto amendamente dhe nisi ti marrë më shqyrtim paralelisht me amendamentet e mazhorancës gjatë diskutimit nen për nen të ligjit në fjalë. Nga 15 nene që ka gjithsej ky projekt, gjatë dy orëve të diskutimit të djeshëm deputetët kanë mundur të miratojnë me disa ndryshime teknike vetëm katër nenet e para të draftit. Komisioni do të vijojë gjatë mbledhjes së sotme edhe nenet e tjera, diskutim i cili do të prekë atë pjesë të projektit që ka hapur diskutime edhe brenda vetë mazhorancës, që e ka propozuar e që lidhet me nenin që përcakton krimet për të cilat ndalohet falja. Pikërisht në nenin pesë deputetët socialistë kanë propozuar ndryshimin e pikës që përcakton llojet e veprave penale, duke i shtuar nga tri që ka propozuar Ministria e Drejtësisë, në njëzet e tre. Opozita përfshin në veprat që nuk duhen falur edhe vrasjet me paramendim, marrëdhëniet seksuale ose homoseksuale me të mitur apo me dhunë me të mitur nga 14-18 vjeç, rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit, trafikimi i narkotikeve etj. Lidhur me afatin që kreu i shtetit ka në dispozicion për të firmosur dekretin e faljes PS-ja ka propozuar një vit nga paraqitja e kërkesë. Pas kalimit të këtij afati kërkesa për falje konsiderohet e rrëzuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›