E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i Kosovës miraton pr/ligjin për amnistinë

11-07-2013 / Gazeta 55

Projektligji për amnistinë, pjesë e marrëveshjes së stabilizimit me Serbinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për amnistinë. Me 91 vota për, 17 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët vendosën kësaj radhe që të miratojnë këtë projektligj, vetëm një javë pasi që e kishin rrëzuar atë. Mirëpo, përkrahja për Projektligjin ishte rritur pas heqjes së nenit tre, me të cilin edhe u reduktua dukshëm fusha e veprave që parashihet të amnistohen. Votimi i dytë dhe final për këtë ligj, pritet të bëhet po sot, gjatë seancës së pasditës. Drafti është prezantuar para deputetëve nga zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Ai ka thënë se projektligji trajton çështjen e amnistisë konform kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Njëherësh, Kuçi i ka njoftuar deputetët se janë marrë parasysh të gjitha vërejtjet e seancës së fundit, kur Kuvendi kishte dështuar ta miratonte atë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.
Më pas, gjatë debateve, Projektligji është mbështetur nga partitë e koalicionit, PDK, AKR dhe pakicat. Po ashtu, edhe dy partitë opozitare, LDK dhe AAK i kanë dhënë mbështetje.
Në emër të LDK-së, deputeti Haki Demolli ka thënë me heqjen e nenit tre nga ky projektligj janë plotësuar kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu që edhe është mbështetur për aprovim.
Ndërkaq në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Ardian Gjini ka vlerësuar se versioni i sotëm i projektligjit e përjashton mundësinë e faljes së krimeve të rënda ordinere andaj edhe i ka dhënë mbështetje miratimit të tij.
Edhe kësaj radhe, lëvizja Vetëvendosje ka qenë kategorike kundër miratimit të projektligjit të amnistisë.
Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se projektligji nuk i plotëson standardet ndërkombëtare dhe si i tillë nuk duhet të miratohet. Përmbajtja e tij, sipas deputetes Haxhiu është caktuar në dialogun me Serbinë sipas dëshirave të kryeminisrit serb Ivica Daçiç.
Ky Ligj buron nga Marrëveshja 15 pikëshe e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Përmes këtij ligji ishte menduar të amnistohen strukturat paralele ilegale në veri të cilat sipas marrëveshjes më pas do të fillonin integrimin në strukturat legale të Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›