Kuvendi i PD i “Rithemelimit”, Kadilli thirrje Berishës: Hap rrugën për të rinjtë, je e shkuara

Kuvendi i PD i thirrur nga grupimi “Rithemelimi”, është përballur edhe me një zë kritik. Fatbardh Kadilli, një ish drejtues I PD-së, i ka bërë thirrje Berishës që të hap rrugën për një brez të ri, sepse ai tashmë përfaqëson të shkuarën.
“Ne nuk mund t’i bëjmë bisht të vërtetës sonë: PD sot është PD-ja e vitit 2013. Për të koha ka mbetur në vend. Koha e shqiptarëve ka ecur përpara dhe e ka lënë PD-në pas. PD sot duhet të kapë të ardhmen. Për këtë arsye, dua t’i bëj thirrje edhe një herë tjetër Zotit Berisha që të hapë rrugën për një brez tjetër në krye të PD-së, i cili mund të vijë nga një garë e lirë dhe e vërtetë. Një garë ku merr pjesë zoti Berisha nuk është garë e vërtetë. Në emër të së ardhmes dua t’i bëj thirrje këtij Kuvendi që të shprehë qartë: ndarjen nga çdo trashëgimi e keqe e së shkuarës sonë. Të shpallim ndarjen nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin që edhe ne kemi kryer në të shkuarën.”, tha Kadilli.
/rtsh.al/