E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i kërkon AMF-së rishikimin e rregullores për çmimet e sigurimeve motorike

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Kuvendi pritet t’i kërkojë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që të rikthejë për diskutim dhe rishikim rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në projektrezolutën e përgatitur nga Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, kërkohet që dokumenti të përafrohet plotësisht me modelin italian të sigurimeve motorike, i konsideruar si një nga praktikat më të avancuara evropiane në drejtim të transparencës dhe penalizimit proporcional të riskut.

Modeli i ri pritet të përfshijë vendosjen e një sistemi funksional “bonus-malus” që shpërblen drejtuesit e kujdesshëm dhe penalizon shkeljet e përsëritura, si dhe të mundësojë personalizimin e primit sipas historikut individual të drejtimit të mjetit. Po ashtu, projektrezoluta parashikon përfshirjen e paketës familjare të sigurimit, që lejon transferimin e bonusit brenda familjes, dhe diferencimin gjeografik të primit në varësi të nivelit të riskut dhe frekuencës së aksidenteve në zona të caktuara.

Kuvendi kërkon gjithashtu që AMF, në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës, të hetojë me prioritet tregun e sigurimeve të detyrueshme TPL dhe Karton Jeshil, për të verifikuar praktikat që mund të kenë kufizuar konkurrencën apo ndikuar në fiksimin e çmimeve. Hetimi duhet të përfshijë edhe mënyrën e shkëmbimit të informacionit ndërmjet operatorëve të tregut dhe ndikimin e tij në sjelljen tregtare të kompanive të sigurimit.

Në projektrezolutë kërkohet gjithashtu që AMF të propozojë masa konkrete për rikthimin e konkurrencës së lirë dhe forcimin e transparencës e mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe të hetojë ekzistencën e subjekteve të paligjshme që ofrojnë platforma digjitale apo algoritme për koordinimin e çmimeve dhe ndarjen e tregut.

Sipas të dhënave të AMF-së, sigurimi i brendshëm TPL vijon të jetë shtylla kryesore e tregut të sigurimeve në vend. Për 9-mujorin e vitit 2025, primet e shkruara bruto nga ky produkt arritën në 10,5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe duke zënë 56,6% të tregut të sigurimeve të jo-jetës.  /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›