E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani pret Drochner: Bashkëpunimi me KfW thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Zëvendësministrja e Ekonomisë, Olta Manjani priti sot në një takim drejtoreshën e re të Zyrës së KfW në Shqipëri, Mara Drochner.

Manjani dhe Drochner diskutuan mbi përgatitjet në kuadër të Konsultimeve Ndërqeveritare Shqipëri-Gjermani, që do të zhvillohen më 13-14 nëntor, si dhe ecurinë e Regional Challenge Fund.

“Bashkëpunimi me KfW dhe qeverinë gjermane mbetet thelbësor për nxitjen e arsimit profesional, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në vend”, tha Manjani, në një postim në rrjetet sociale.

Shqipëria dhe KfW kanë ndërtuar një partneritet të fortë zhvillimor në disa sektorë kyç, me fokus në energji, ujë, mjedis, transport urban, arsim dhe zhvillim rajonal.

Projektet që janë në fazë programimi apo zbatimi pasqyrojnë prioritetet kombëtare, përfshirë integrimin në Bashkimin Evropian, veprimin për klimën, modernizimin e infrastrukturës dhe zhvillimin social.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›