Kuvendi i përkrahësve të Berishës, ambasada amerikane njofton qytetarët e saj: Shmangni çdo tubim, situata mund të ndryshojë shumë shpejt!

Ambasada amerikane në Tiranë ka ftuar qytetarët e saj që të shmangin gjatë ditës së shtunë tubimet nëpër kryeqytet. Sipas saj kjo për shkak se nuk dihen ende detaje në lidhje me Kuvendin e përkrahësve të ish-kryeministrit Sali Berisha në PD.“Një tubim politik është paralajmëruar të zhvillohet në orën 10:00 të datës 11 dhjetor në stadiumin Air Albania në Tiranë. Ky tubim mund të zhvendoset në vende të tjera në Tiranë. Madhësia dhe kohëzgjatja e saktë e mbledhjes së pritshme nuk dihen” bëhet e ditur në njoftimin e shpërndarë për qytetarët amerikanë. “Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit” thekson ambasada amerikane në Tiranë. Ajo sugjeron “Shmangni tubimet e mëdha dhe çdo zonë ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdim. Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj. Monitoroni mediat lokale për përditësime”.