E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, imuniteti dhe rregullorja rikthejne sherret

24/02/2011  Në seancën e sotme pritet votimi i kufizimit të imunitetit të Priftit

Kuvendi, ndryshimi i Rregullores do shoqërohet me debate nga opozita

Herion Mesi

Debatet, sharjet, fyrjet, duke mos përjashtuar dhe konfrontimet fizike mes deputetëve pritet që të jenë refreni i seancës së sotme plenare në Kuvend. Ndryshimi në Rregullore si dhe kufizimi i imuniteteve të deputetëve, parashikohet që të nxehin gjakrat e përfaqësuesve të opozitës në parlament, të cilët i kanë kundërshtuar me forcë, pasi i konsiderojnë si cënim të lirive dhe ushtrim force nga ana e mazhorancës.

Konferenca e Kryetareve u mblodh mesditën e djeshme për të përcaktuar kohën e debatit për rendin e ditës që do të mbahet për projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, i ndryshuar” dhe aneksit të saj (projektvendimi “Për kufizimin e imunitetit të deputetit dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale” gjatë seancës së sotme plenare. Gjithashtu në seancën e sotme Kuvendi do ti hapë rrugë kërkesës së Prokurorisë për hetimin ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Priftit, i cili akuzohet për korrupsion aktiv, ku deputetët do të votojnë pro heqjes së mandatit të Priftit.

Seanca e sotme

Në seancën e sotme plenare në lidhje me projektvendimin “Për kufizimin e imunitetit të deputetëve” si dhe për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të miratuara vetëm me votat e mazhorancës në mbledhjen e së martës në Komisionin e Ligjeve, një nismë kjo e ndërmarrë nga Partia Demokratike, pritet që opozita të shprehet kundër kësaj, pasi gjatë këtyre ditëve e ka cilësuar atë në kundërshtim me procedurat të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit. Socialistët kërkuan që më parë seanca të përfshijë në kalendar nismën e PD-së dhe më pas të caktohet se kur duhet të shqyrtohet në komisione dhe të votohet në seancë plenare. Por kjo është kontestuar nga maxhoranca, e cila ka qenë pro përfshirjes me procedurë të përshpejtuar të kësaj nisme. Deputetët socialistë do të bllokojnë foltoren e Kuvendit, si një aksion ky për të bllokuar punimet e tij, në kundërshtim me ndryshimet më të fundit të Rregullores. Pra, pritet një seancë me përplasje mes dy palëve në Kuvend, ku sot do të diskutohen dhe votohen një sërë ligjesh, mes të cilave edhe nisma për kufizimin e imunitetit të deputetëve.

Komisioni i Ligjeve

Gjatë mbledhjes të së martës në Komisionin e Ligjeve deputetët sqaruan se ky ndryshim bën fjalë vetëm për rastin e autorizimit për ndjekjen penale, hetimin e deputetit, por jo për autorizimin për arrestimin e tij. Ndërkohë opozita braktisi punimet e Komisionit të Ligjeve, pasi e quajti dhunë ndaj së drejtës së fjalës së pakicës amendamentin e ri të deputetit Eduard Halimi për përjashtimin me 21 ditë të deputetëve që zaptojnë foltoren e Kuvendit për më shumë se 2 minuta. Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve ka votuar e vetme ndryshimet e Rregullores së Kuvendit. Mes debatesh të ashpra është arritur të miratohet se deputetët që do të bllokojnë foltoren për 3 minuta do të ndëshkohen për tri javë në seancat plenare. Opozita e cilëson një traumë të rëndë këtë, por nga ana tjetër mazhoranca u shpreh se kjo manovër bëhet për të shmangur mbajtjen peng të punimeve të Kuvendit. “Në rast se deputeti e bllokon për tri minuta foltoren e Kuvendit, ai do të pezullohet për tri javë nga pjesëmarrja në seanca”, - ky është vetëm një nga ndryshimet që miratoi Komisioni i Ligjeve në Rregulloren e Kuvendit pa praninë e deputetëve të opozitës në këtë komision, të cilët u larguan pjesërisht nga mbledhja e së martës.

Kuvendi: Dritani Prifti nga sot pa imunitetin e deputetit

Pas votimit të një jave më parë, ku deputetët e Kuvendit të Shqipërisë votuan me 128 vota “pro”, dy “kundër” dhe një “abstenim” kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta, Kryetarja e Kuvendit deklaroi se të enjten e ardhshme (sot) do të votohet edhe për heqjen e imunitetit të deputetit dhe ish-ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti. “Jam në dispozicion të drejtësisë plot 24 orë, imuniteti nuk duhet të më kufizojë, jo vetëm mua, por asnjë deputet që të hetohet kur kjo kërkohet nga Prokuroria. Me veprimet e mia nuk kam pasur në plan të sulmoj askënd, por të mbrohem vetë nga presionet e Ilir Metës për tu përfshirë në korrupsion”, - ishin disa nga fjalët e ish-ministrit Prifti në nisje të seancës dëgjimore në Këshillin e Rregullores për Mandatet, zhvilluar një javë më parë. Në përfundim të fjalës së tij Prifti tha se është i gatshëm të lërë imunitetin dhe të hetohet për çdo akuzë. “Jam i gatshëm të lëshoj imunitetin tim parlamentar që tani”, - tha Prifti.

Akuzat e opozitës

Në lidhje me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit të martën e kaluar deputeti socialist në Komisionin e Ligjeve Pandeli Majko deklaroi se “këto ndryshime janë një kauzë më tepër në situatën politike, që nuk shërbejnë për zgjidhjen e krizës. Kjo që po bëni sot nuk është ftesë për dialog, kjo do të thotë: Do të rrish drejt, do bësh atë që të them unë, do të flasësh sa të them unë. Madje, do të arrijë deri aty sa të thuhet do të flasësh siç të them unë. Kjo nuk është opozitë. Kjo është historia e partisë sime dhe e babait të Ilir Rusmalit, që as 2-minutëshin nuk ia jepte për të folur kundërshtarit politik.”

Argumentimi i mazhorancës

“Me sa duket, sot ne kemi zbuluar thelbin e taktikës se si duhet të realizohet, se si duhet të inplementohet kjo strategji e bllokimit të Parlamentit dhe taktika qenka uzurpimi i foltores, uzurpimi i dhunshëm i foltores. Kjo nuk është një gjë e mirë, kjo nuk është një gjë që mund të na japë asnjë lloj sensi triufalizmi. Zbuluam dhe demaskuam strategjinë dhe taktikën e Edi Ramës, nuk ka pikë vlere. Ne jemi këtu për të mbrojtur parlamentarizmin, pa strategjia dhe taktika e Edi Ramës janë lakuriq prej shumë vitesh, dhe këtë shqiptarët e dinë”, - tha kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali.

Deputetët socialistë votojnë nesër pro heqjes së imunitetit të Priftit

PS përqendron luftën politike te 21 janari

Oli Xhilaga

Ligjvënësit socialistë duhet ta përqendrojnë oponencën e tyre kryesisht te ngjarjet e 21 janarit, duke drejtuar gishtin përgjegjës pikërisht te shumica qeverisëse. Ky ka qenë orientimi i dhënë dje nga kreu i PS-së, Edi Rama, për deputetë e kësaj partie në mbledhjen që grupi kuvendor i PS-së zhvilloi gjatë ditës së djeshme. Kështu, burime pranë këtij takimi bënë me dije se kreu Rama, ndalur në qëndrimin që duhet të mbajë ky grup parlamentar ndaj kampit kundërshtar në institucionin e Kuvendit, u ka kërkuar deputetëve që të zhvillojnë një luftë politike të mirëfilltë, duke mos lejuar që përmes nismave apo projektligjeve shumica qeverisëse të arrijë që të sfumojë dhe të zhvendosë vëmendjen nga ngjarjet tragjike të demonstratës së 21 janarit. Madje, në këtë pikë, mësohet se Rama ka urdhëruar ligjvënësit socialistë që në punimet parlamentare, qoftë në komisione apo në sallën e Kuvendit, të bllokojnë me argumente çdo përpjekje të mazhorancës që përpiqet që të shfaqë një gjendje normale të situatës politike në vend. Njëkohësisht, përmes luftës së ashpër politike socialistët do të vijojnë përpjekjen e tyre për të qenë bllokues të të gjitha projektligjeve që kërkojnë shumicën në Kuvend. Në këtë mënyrë, mësohet se gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kryetari Rama ka kërkuar që ligjvënësit socialistë të jenë pjesë e diskutimeve për të gjitha çështjet në rendin e ditës në të gjitha seancat parlamentare, por duke mos u përfshirë në procesin e votimit. E njëjta situatë pritet të ndodhë dhe në seancën e ditës së nesërme, ku deputetët socialistë do të japin votën e tyre pro heqjes së imunitetit të deputetit Dritan Prifti, ndërsa për dy çështjet e tjera do të refuzojnë përfshirjen në votim. Por nga ana tjetër, si për nismën e PD-së për lënien e imunitetit, ashtu dhe për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, dhe kjo nismë e shumicës, socialistët pritet që të zhvillojnë një debat të ashpër vetëm në fjalime dhe jo me votë. Në vlerësimin e lidershipit socialist të dyja nismat e PD-së konsistojnë në minimizimin e hapësirave për opozitën parlamentare.

Balla: Qeveria “Berisha” bandë kusarësh

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, u shpreh dje se “ajo që Sali Berisha e quan qeveria e shqiptarëve i ngjan sot më shumë se kurrë një bande kusarësh që sundon mbi shqiptarët jo sepse ka fituar votat, por sepse u ka vjedhur shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur”. Në vlerësimin e tij ky është një regjim që nuk qeveris, por sundon; që nuk punon, por vjedh dhe madje edhe vret për të mbuluar vjedhjet e për të grabitur gjithçka me vlerë në këtë vend. Për këtë arsye, Balla vuri në dukje se “mjafton të shohësh se cilët janë njerëzit e regjimit që sundon mbi shqiptarët, për të kuptuar se ky entitet që drejton Sali Berisha në fakt nuk e ka vendin në Këshillin e Ministrave, por përpara drejtësisë, duke u përballur me ligjin për aferat, korrupsionin e skandalet që nuk kanë të sosur”.

Qëndrimi i PS-së

Grupi parlamentar i PS-së do të kundërshtojë me fjalë dhe jo me votë nismat ligjore të propozuara nga PD. Kështu, sipas PS, si lënia e imunitetit, ashtu dhe ndryshimi i Rregullores së Kuvendit, synojnë që t’i “mbyllin gojën” opozitës parlamentare. Nesë PD i kalon në Kuvend, PS do t’i ankimojë në Kushtetuese.

Zgjedhjet lokale të 8 majit

Skenës politike i shtohet parti e re, PSM

Afrimi i zgjedhjeve lokale të 8 majit ka sjellë me vete dhe krijimin e forcës më të re politike në vend. Së fundmi, spektrit politik të së majtës në Shqipëri i është shtuar tani një tjetër parti.

Partia Socialiste e Moderuar (PSM) është forca më e re politike e krijuar nga eksponentë të së majtës dhe ish- anëtarë të Partisë Socialiste. Referuar njoftimit për shtyp të PSM, bëhet e ditur se kjo forcë politike shënoi si ditëlindje të saj pikërisht datën 28 janar. “Në datën 28/01/2011, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin 420, vendosi pranimin e kërkesës dhe regjistrimin si person juridik të partisë "Partia Socialiste e Moderuar" në Regjistrin e Partive Politike pranë kësaj Gjykate, me inicialet ‘PSM’”, theksohej në deklaratën për shtyp të vënë në dispozicion të mediave nga zyra e shtypit pranë kësaj force politike. Njëkhësisht, po sipas njoftimit për shtyp, bëhet e ditur se kryetar i Partisë Socialiste të Moderuar ështe zgjedhur zoti Gjergji Koja. Ndërkohë që disa përfaqësues të saj, anëtarë të kryesisë së PSM, janë Nazmir Bilani, sekretar i Përgjithshëm, ish-deputet i PS; Pandi Sare, kryetar i Njësisë Bashkiake nr.7, Tiranë; Ilir Kokona, kryetar i Njësisë Bashkiake nr.3, Tiranë; Elida Tepelena, ish-deputete e PS, etj. Ndërkohë që disa nga këta përfaqësues, pas largimit nga PS-ja për një periudhë kohe ishin anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia Socialiste e Moderuar formohet si një parti e Qendrës së Majtë në Republik`n e Shqipërisë dhe konceptohet si një kontribuese domethënese në ridimensionimin e votave të elektoratit për të majtën shqiptare.

LSI: Rama të votojë heqjen e imunitetit

Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, ka deklaruar dje se LSI-ja mbështet heqjen e imunitetit jo vetëm për deputetët, por edhe për zyrtarët e lartë që akuzohen nga Prokuroria. Ai ka kërkuar që edhe kreu i PS-së, Edi Rama, të lejojë miratimin e heqjes së imunitetit. “Çështja e imuniteteve është një çështje e ndjeshme brenda vendit tonë, gjithashtu është një rekomandim i vazhdueshëm që i është bërë Kuvendit të Shqipërisë nga partnerët e tij. Është një çështje për të cilën LSI ka qenë promotore për t’i dhënë fund një herë e mirë çështjes së kufizimit të mandatit jo vetëm të deputetëve, por edhe të zyrtarëve të tjerë, të cilët akuzohen për korrupsion, dhe nuk e kuptojmë aspak sesi z. Rama është futur dhe po mbrohet mbas bunkerit të tij lidhur me çështjen e imuniteteve”, tha Tavo. Deputeti i LSI-së ka përshëndetur dhe konstituimin e Parlamentit të Kosovës, duke deklaruar se është nevoja për një bashkëpunim me të madh mes dy kuvendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›