Kuvendi miratoi dy ligje, një rezolutë dhe raportin e KGJK-së

(E plotësuar) Kuvendi ka miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, ndërsa ka miratuar po ashtu edhe Ligjin për procedurën përmbarimore.
Po ashtu, ligjvënësit miratuan edhe rezolutën “Partneriteti për fuqizimin e gruas”, të propozuar nga Grupi i grave deputete, i cili do të procedohet në Kombet e Bashkuara.
Kuvendi miratoi raportin e punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011, i cili u vlerësua si shumë i vonuar. Deputetët gjatë debatit vënë në pah ngecje të ndryshme në sistemin e drejtësisë./Indeksonline/
--------
Me shqyrtimin e dy projektligjeve dhe të një raporti, Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot përmbyll sesionin vjeshtor të punës së vet.
Në seancën e sotme, pas pikave të përhershme të seancave parlamentare: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, ligjvënësit do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjykatat, kurse për herë të dytë do ta shqyrtojnë Projektligjin për procedurën përmbarimore.
Në të njëjtën seancë, do të shqyrtohet edhe Raporti i punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011./Indeksonline/