Kuvendi miraton emrat e mazhorancës në krye të komisioneve të përhershme parlamentare

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Kuvendi miratoi sot emrat e mazhorancës për kryesitë e komisioneve të përhershme parlamentare.
Deputetët e mazhorancës votuan me 77 vota pro, 1 kundër dhe zero abstenim, emrat e paraqitur nga mazhoranca për 7 komisione që i kryesojnë.
Ndërkohë, opozita caktoi sot emrat për kryesimin e 4 komisioneve parlamentare dhe 7 nënkryetarët, por nuk paraqiti në kohë emrat për votim në seancën e pasdites.
Kuvendi vendosi që përbërja e kryesive të komisioneve të përhershme të kuvendit, sa i takon mazhorancës socialiste, të jetë si më poshtë:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, kryetare Milva Ekonomi, nënkryetar Erion Braçe, Sekretare Zamira Sinaj.
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, kryetar Ulsi Manaj, nënkryetar Damian Gjiknuri, sekretare Aurora Mara.
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, kryetar Bledar Çuçi, nënkryetar Olta Xhaçka, sekretar Ilirian Pendavinji.
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, kryetari i takon opozitës, nënkryetare Evis Kushi, sekretare Hatixhe Konomi.
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, kryetari i takon opozitës, nënkryetar Eduart Shalsi, sekretare Enriketa Jaho.
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe zhvillimin e Qëndrueshëm, kryetare Anila Denaj, nënkryetar Ceno Klosi, sekretare Ilva Gjuzi.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, kryetari i takon opozitës, nënkryetare Iris Luarasi, sekretar Ardit Bido.
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, kryetar Blendi Klosi, nënkryetar Fadil Nasufi, sekretar Saimir Hasalla.
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, kryetari i takon opozitës, nënkryetar Erion Malaj, sekretar Arkend Balla.
Komisioni për Europën e Punët e Jashtme, kryetar Igli Hasani, nënkryetare Bora Muzhaqi, sekretare Marjana Koceku.
Komisioni për Nismat qytetare bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen institucionale kryetar Fatmir Xhafa, nënkryetar Ermal Elezi, sekretare Aulona Bylykbashi.
Partia Demokratike caktoi sot katër kryetarët e komisioneve parlamentare që do të drejtojë opozita, gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të kësaj partie. Kështu Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet do të drejtohet nga Luçiano Boçi, komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën do të drejtohet nga Ina Zhupa, komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik do të drejtohet nga Jorida Tabaku, komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale do të drejtohet nga Bardh Spahia.
Kuvendi miratoi në seancën e sotme të paradites projektvendimin e paraqitur nga Partia Socialiste për ngritjen e 11 komisioneve të përhershme, nga 8 që ishin më parë.
Kuvendi miraton kryesitë e komisioneve parlamentare, foto: Florian Abazaj 1 nga 2/k.s/j.p/