Kuvendi miraton ligjin e mbetjeve, PS: Po përfshihet mafia italiane
TIRANË Mes debatesh të ashpra, Kuvendi ka miratuar dje ligjin për menaxhimin e mbetjeve vetëm me votat e mazhorancës. 55 deputetë të opozitës kanë votuar kundër, duke argumentuar se vendi ynë ka mungesë kapaciteti për kontrollin e tyre. “Nismat
tuaja i janë prezantuar vendit, duke nisur nga propozimet për përpunimin e mbetjeve të vendit me impiante djegëse, por duke sjellë mbetje edhe nga jashtë, si dhe për depozitim lëndësh deri radioaktive në minierat e braktisura të vendit. Vende të varfra si i yni, janë targete të mafias që operon fuqishëm për të nxjerrë përfundime marramendëse nga depozitimi dhe asgjësimi i mbetjeve të rrezikshme. Për fat të keq, tranzitimi i mbetjeve përmes territorit tonë, mbart rreziqe për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe predispozicionit të lartë korruptiv, që është kthyer në një nga problemet e shoqërisë shqiptare. Ndonjë ditë nuk është çudi të mësojmë se problemi i ndotjeve po zgjidhet me ndonjë nga klientët e pushtetit të lidhur, kur dihet se grupe të ndryshme e shohin Shqipërinë, si një oaz ku mund të fitohet në mënyrë marramendëse nga depozitimi i lëndëve të rrezikshme", - tha Ruka. Ndërsa deputeti tjetër i PS-së, Tauland Balla, shkoi edhe më tej duke shtuar se projektligji është i porositur nga interesa mafioze nga vende të tjera, që duan medoemos që të ndërtojnë në Shqipëri impiante të përpunimit dhe të groposin plehrat e tyre. Sipas tij, të dhënat e Wikileaks tregojnë ndër të tjera edhe se çfarë ka shkruar konsulli amerikan në Napoli. "Camorra dhe Ndragheta, sytë për plehrat i kanë nga Shqipëria, sepse në Shqipëri po miratohet një projektligj për trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe se qeveria shqiptare po i hap dyert këtij projekti'. Konsulli i shkruan Departamentit të Shtetit që të merren masa, që të njoftohet qeveria shqiptare që të marrë masa për këtë rrezik që i kanoset nga dy grupet më të mëdha mafioze në Itali",- tha Balla. Qëndrimeve të opozitës është detyruar t’i përgjigjet ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, pasi ministri përgjegjës ai i Mjedisit, Fatmir Mediu, nuk ishte fare në sallë. Olldashi i cilësoi të pavërteta deklarimet e deputetëve të opozitës. Ligji për menaxhimin e mbetjeve i miratuar tashmë nga Kuvendi ka një kosto prej 132 milion euro, një pjesë e të cilave do të shkojnë për ndërtimin e landfildeve. Ligji për menaxhimin e mbetjeve është pjesë e rekomandimeve të Bashkimit Europian.