Presidenti i ri dhe krerët e pavarur, PS ofrohet për negociata me PD
Gramoz Ruçi: Kemi qenë në pushtet, kemi patur edhe 84 vota për të zgjedhur Presidentin, por u ulëm një javë dhe negociuam me ju dhe pranuam ofertën tuaj. Ne jemi gati të ulemi të negociojmë për të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese, uluni negocioni!”. Patozi: Sot për herë të parë kemi hasur dhe në oferta të reja që të nisim negociatat për Presidentin e ardhshëm. Në rast se ju mendoni që bashkëpunimi juaj për reformat integruese duhet të marrë në këmbim pushtetin, sigurisht që gaboheni rëndë.
Dështon konsensusi për Kodet me 3/5-at.
Ndërsa ka vendosur t’i thotë jo ligjeve me 3/5, opozita dje në mënyrë krejt të beftë ka kërkuar hapjen e negociatave me mazhorancën për krerët e institucioneve Kushtetuese, përfshi këtu edhe atë të kreut të shtetit. Një fakt i tillë është bërë i ditur dje nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, gjatë seancës plenare, ku mes të tjerave foli edhe për një propozim të ri të socialistëve për nisjen e negociatave për Presidentin e Republikës. Për këtë ai i është referuar pikërisht një deklarate të bërë nga homologu i tij i majtë Gramoz Ruçi gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, mbledhja e së cilës i ka paraprirë mbledhjes së seancës plenare. E megjithatë, kryetari i grupit parlamentar demokrat i ka bërë të qartë opozitës se përsa i përket Presidentit, mazhoranca nuk do të bëjë asnjë pazar, duke prerë kështu shpresat për një kompromis paraprak.
Presidenti
Duke folur dje nga podiumi i Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i ka ofruar mazhorancës mundësinë e arritjes së një konsensusi në lidhje me zgjedhjen e krerëve të institucioneve kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe atë të Presidentit të Republikës. “E thashë sot në konferencën e kryetarëve, po jua them edhe këtu në Parlament. Kemi qenë ne në pushtet, kemi qenë ne në mazhorancë dhe kemi patur edhe shumicën e cilësuar për të zgjedhur Presidentin me 84 vota, por u ulëm një javë të tërë negociuam me ju dhe pranuam propozimin dhe ofertën tuaj. Ne jemi gati të ulemi të negociojmë për të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese, uluni negocioni!”, - u shpreh Ruçi në fjalën e tij. E duke iu referuar kësaj deklarate të bërë dy herë gjatë ditës së djeshme (një herë në konferencën e kryetarëve dhe një herë në seancë) kryetari i deputetëve demokrat Astrit Patozi e ka quajtur këtë si një propozim që vjen nga ana e opozitës për të nisur bisedimet për një kompromis edhe për emrin e kreut të ri të shtetit, pavarësisht se zgjedhja e tij duhet të bëhet vitin tjetër. “Sot gjithashtu për herë të parë kemi hasur dhe në oferta të reja që të nisim negociatat për Presidentin e ardhshëm dhe për disa çështje të tjera që artikulohen për herë të parë”, - tha Patozi ndërsa ka marrë për bazë edhe deklaratën e bërë nga Ruçi gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. E megjithatë, kreu i grupit socialist, Ruçi, i kontaktuar nga gazeta lidhur me këtë çështje, ka mohuar që deklarata e tij të ketë patur të bëjë konkretisht me propozimin për zgjedhjen e kreut të shtetit nëpërmjet një konsensusi paraprak me mazhorancën. Ai ka sqaruar se deklarata e tij ka qenë në kuadrin e një replike të ardhur si reagim ndaj qëndrimeve të shprehura nga përfaqësuesit e mazhorancës, duke i bërë të ditur atyre se e majta në vitin 2002 kur kishte shumicën e Kuvendit në fillim të viteve 2000 pranoi të bëjë një pakt me opozitën e asaj kohe, duke i dhënë dhe kreun e shtetit. E pavarësisht këtij debati, nëse ishte apo jo një propozim konkret, kreu i deputetëve demokrat ka sqaruar në seancën e djeshme se mazhoranca nuk do të pranojë kurrsesi një marrëveshje të tillë. “Ne zotërinj të opozitës ua themi qartë dhe pastër. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me integrimin, në rast se ju e konsideroni tender, në rast se ju mendoni që bashkëpunimi juaj për reformat integruese duhet të marrë në këmbim pushtetin, sigurisht që gaboheni rëndë”, - u shpreh Patozi.
Konferenca
Para se të niste seanca e djeshme parlamentare, palët e përfaqësuara në Kuvend kanë tentuar edhe një herë për më shumë se dy orë rresht që të gjejnë konsensusin e tyre lidhur me votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. E mbledhur për të miratuar kalendarin trijavor të punimeve, Konferenca e Kryetarëve është ndalur gjatë pikërisht te çështja nëse duhet të përfshihesh apo jo sërish ligjet me 3/5 në rendin e ditës së tri seancave të ardhshme. Kështu mësohet se palët kanë debatuar gjatë, pasi opozita ka këmbëngulur në kërkesën e saj për t’i tërhequr këto nisma dhe për realizimin e një reformë më të gjerë. Ndaj kësaj kërkese mazhoranca ka qenë e prerë se nuk ka logjikë që të kërkosh të bllokosh miratimin e nismave të depozituara në Kuvend, kur ato prekin vetëm çështje veçanta të këtyre ligjeve që kërkojnë 84 vota. “Kodi Rrugor i kaluar në komisionin e Ligjeve ka vetëm një nen që kërkohet të ndryshohet. Ndaj nuk mund të pretendosh që për këtë nen ky Kod ka nevojë për një ndërhyrje më të thellë”, - mësohet se është shprehur Rusmali. Ndërkohë që opozita ka këmbëngulur në të sajën, duke argumentuar se nuk mund të bëhet pjesë e një procesi të tillë arnimesh, që sipas saj nuk bëjnë gjë tjetër veçse kalojnë një licencë vjedhje nga njeri hajdut te tjetri. Pavarësisht debateve, mazhoranca ka përfshirë në kalendar reformën zgjedhore, ndërsa ka pranuar të futet në procedurë parlamentare projekti i socialistëve për ndryshimin e rregullores. Për shkak të mungesës së konsensusit në Konferencë, kalendari është miratuar në seancë plenare, ku opozita sërish ka votuar kundër.