Dështon konsensusi për Kodet me 84 vota, shtyhet votimi
Dështojnë përpjekjet e mazhorancës për t’i imponuar opozitës miratimin e të gjitha atyre ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Ashtu siç edhe pritej, mazhoranca është detyruar t’i shtyjë në kalendar të gjitha nismat ligjore të programuara për t’u miratuar dje, pasi deri në minutën e fundit nuk ka mundur dot që t’i marrë konsensusin socialistëve, të cilët nga ana e tyre kanë këmbëngulur që më parë të gjendet mirëkuptimi për një reformë tërësore, e cila të fillojë me atë parlamentare. Por pavarësisht kësaj, të gjitha këto nisma ligjore do të jenë sërish në rendin e ditës së çdo seance të ardhshme, pasi kështu vendosi shumica parlamentare gjatë miratimit të kalendarit të ri trijavor të punimeve të Kuvendit, për të cilin sërish opozita nuk ra dakord duke votuar kundër.
Debati
Pas shqyrtimit të dy projektligjeve të para, atij për mbetjet dhe për shërbimin veterinar, Kuvendi ka kaluar në pikën e nxehtë, ku dhe pritej testi i një konsensusi mes shumicës dhe opozitës në sallë. Por më kot, pasi të dyja palët nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre fillestare, të cilat janë ballafaquar paraprakisht edhe në Konferencën e Kryetarëve që i ka paraprirë mbledhjes së seancës. Për t’u treguar të kujdesshëm, në mënyrë që këto projektligje që kërkojnë 84 vota të mos dështonin në votim, kreu i grupit parlamentar socialist ka kërkuar edhe një herë në sallën e Kuvendit konsensusin e opozitës. “Kërkova fjalën se dua të evitojmë dështimin e votimit që do ishte mosarritja e shumicës apo numrit të votave që parashikon Kushtetuta që do çonte rishqyrtimin e këtyre projektligjeve 6 muaj më vonë. Prandaj kërkoj paraprakisht qëndrimin e PS-së për këtë çështje”, - u shpreh Patozi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, i cili e ka konsideruar të kotë këtë orvatje të mazhorancës për t’iu imponuar opozitës, duke u shprehur se qëndrimi i socialistëve i ishte bërë i qartë mazhorancës edhe në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve. Kështu Ruçi ka renditur edhe një herë 10 çështje ndaj të cilave duhet të angazhohet Kuvendi paralelisht në kuadër të një reforme të gjerë dhe që sipas tij duhet të fillonte pikërisht me ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. “Ne jemi këtu në sallën e Parlamentit për t’i zgjidhur, për t’i plotësuar. Ja ku na keni, negocioni, na dëgjoni, të punojmë dhe të veprojmë që t’i zgjidhim problemet. Kjo është përgjigjja që ka opozita. Në qoftë se dëshironi kontributin e opozitës, ja ku jemi. Hajt të fillojmë nga puna, fillojmë nga e para për zgjidhjen e krizës politike. T’ia nisim me paketën që ju kemi depozituar këtu e një javë përpara, për kthimin në normalitet të Parlamentit, të vazhdojmë me zgjedhjet dhe kështu me radhë”, - u përgjigj Ruçi. Ndërkohë që edhe një herë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka bërë apel opozitës që të heqë dorë nga politika e saj bllokuese dhe për të mirën e procesit integrues të japë votën e saj për këto reforma. “Sot është një ditë e veçantë. Kanë mbetur rreth 20 ditë nga publikimi i progres-raportit. Para kemi një axhendë. S'ështe paketa Ruçi. Është axhenda e integrimit. Ky është kusht që raporti të jetë pozitiv. Ndoshta sot është shansi i fundit. Ligjet e axhendës kërkojnë 84 vota”, - u shpreh Topalli.
Shtyrja
Pasi ka gjetur refuzimin kategorik të opozitës, mazhoranca ka vendosur të mos rrezikojë më tej dhe ka vendosur t’i shtyjë të gjitha nismat e vendosura në rendin e ditës për në kalendarin ardhshëm trijavor të punimeve të Kuvendit. Ka qenë kreu i grupit parlamentar demokrat ai që i ka kërkuar kryetares Topalli shtyrjen, ndërsa nuk ka ngurruar të akuzojë dhe një herë opozitën se ky ishte një test për ndryshimin e sjelljes së saj në kuadër edhe të kursit të ri politik. Në këtë mënyrë të 13 nismat ligjore që në shumicën dërrmuese bëjnë ndryshime në kode, si dhe nisma për gjykatën administrative janë shtyrë, por kanë mbetur në axhendën e Kuvendit në seancë plenare.
Debatet në Kuvend mes Ruçit-patozit e Topallit
Astrit Patozi: Kemi para një bllok ligjesh me shumicë të cilësuar që janë në rendin e ditës se ne vetë i kemi votuar dy javë më parë. Kërkova fjalën se dua të evitojmë dështimin e votimit që do ishte mosarritja e shumicës apo numrit të votave që parashikon kushtetuta që do çonte rishqyrtimin e këtyre projektligjeve 6 muaj më vonë. Prandaj kërkoj paraprakisht qëndrimin e PS për këtë çështje
Gramoz Ruçi: Sigurisht u habita me kërkesën dhe s’jam këtu t’i jap përgjigje homologut tim të mazhorancës. Jo larg, në datën 5, në konferencën e kryetarëve e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë. Dhe përsëri në dy të hëna e kemi bërë përsëri të qartë qëndrimin tonë. Sërish e kemi lënë të hapur që në ditët që pasojnë do të themi qëndrimin tonë, për t’ju dhënë kohë juve zotërinj të mazhorancës, që vërtet të kuptoni thelbin e zgjidhjes së problemeve të vërteta që ka vendi. Përsëritja në mënyrë të herëpashershme, vendosja në kalendar në programin e punimeve është thjesht për të larë gojën. Është thjesht për të fituar kredo politike, për të thënë që në fillim tetori do të ketë një refuzim Shqipëria për statusin dhe për ta lënë përgjegjësinë e fajit tek e majta. Ja ku jemi këtu në Parlament. Pra hodhëm një hap për të zgjidhur atë që na ka lenë prapa dyerve të Bashkimit Europian, zgjidhjen e krizës politike dhe të zgjidhësh krizën politike nuk bëhet duke kërkuar përgjegjësinë tek opozita dhe anasjelltas. Por që të zgjidhësh krizën politike duhet të dëgjohet opozita, duhet të dëgjohet mendimi pakicës, duhet të negociohet. Nga ajo ditë deri më sot asgjë e tillë. E pra, kjo është kërkesa e parë që BE na tha jo. Ne kemi bërë hapin dhe kemi ardhur në Parlament dhe në reflektim të kërkesave që kemi ne dhe të kthimit të parlamentarizmit ju kemi çuar një paketë. E keni në tavolinë”.
Astrit Patozi: Nuk duhet të kishte asnjë arsye në botë që disa prej Kodeve të Republikës të mos miratohen në këtë seancë, sepse nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë asnjë pretendim për ndonjë nuancë politike në shqyrtimin e tyre. Dhe sot ato janë në rendin e ditës, për të cilin gjithashtu askush nga PS nuk ka pasur ndonjë rezervë. Nuk duhet të ishte asnjë motiv që reforma zgjedhore të mos fillonte dhe nuk shikoj asnjë pengesë që Avokati i Popullit të mos zgjidhej, ashtu siç edhe kërkohet në mënyrë të qartë në 12 rekomandimet e Komisionit Europian. Zoti Rama duhet të dijë dhe mësojë se Ligjet e Integrimit nuk mund të jenë ”roma-për-toma”, sepse ato janë piketat nga ku ky vend dhe kjo shoqëri pret të kalojë sa më shpejt të jetë e mundur për të mbërritur në portat e Brukselit. Është më tepër se naive të mendosh se me të njëjtën taktikë bllokuese, por nën një petk tjetër, opozita po lan duart nga detyrimet e saj për integrimin e vendit dhe pas kësaj mund t’i lindë e drejta të tregojë gishtin e përgjegjësisë te mazhoranca. Nuk ka asnjë shqiptar dhe asnjë partner ndërkombëtar që të besojë legjendën e kursit të ri, sa kohë që në këtë sallë Partia Socialiste shfaq të njëjtat simptoma të sëmundjes së vjetër”.
Gramoz Ruçi: E thashë sot në konferencën e kryetarëve, po jua them edhe këtu në Parlament. Kemi qenë ne në pushtet, kemi qenë ne në mazhorancë dhe kemi patur edhe shumicën e cilësuar për të zgjedhur Presidentin me 84 vota, por u ulëm një javë të tërë negociuam me ju dhe pranuam propozimin dhe ofertën tuaj. Ne jemi gati të ulemi të negociojmë për të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese, uluni negocioni!”
Astrit Patozi: Sot gjithashtu për herë të parë kemi hasur dhe në oferta të reja që të nisim negociatat për Presidentin e ardhshëm dhe për disa çështje të tjera që artikulohen për herë të parë. Ne zotërinj të opozitës jua themi qartë dhe pastër. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me integrimin, në rast se ju e konsideroni tender, në rast se ju mendoni që bashkëpunimi juaj për reformat integruese duhet të marrë në këmbim pushtetin sigurisht që gaboheni rëndë
Jozefina Topalli: “Kryetari i Grupit Parlamentar, z. Astrit Patozi zyrtarisht Ju ka ofruar
“t’i kërkojmë ODIHR-it të na asistojë”. Kjo është një tjetër garanci për opozitën. Por përgjigje nuk ka. Axhenda e integrimit kërkon votën tuaj. Ëndrra e shqiptarëve sot varet nga vota juaj.
Ruçi: Më lejoni që të dyve t’ju komplimentoj lidhur me atë që homologu Patozi u mor gjatë gjithë ligjëratës së tij me kryetarin e forcës sonë politike. Ligjërata jote ishte një ligjëratë politike e kryetarit tënd. Unë s’do të bëj asnjë replikë me kryetarin tënd se unë me të replikoj ballë për ballë dhe jo në distancë siç bën ti. Ju sot thatë që nuk keni ndërmend që të uleni dhe ta zgjidhni krizën. Me ligjëratat tuaja hodhët benzinë që ta mbanit gjallë këtë krizë. Ne nuk do biem në kurthin që ju kërkoni dhe t’i hidhni hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Problemet e parlamentarizmit nuk i krijoi opozita
Astrit Patozi: Së pari, në rast se ju e keni problem kur unë apo dikush nga ne përmend emrin e kryetarit të PS-së, na vjen keq të themi se nuk jua plotësojmë dot dëshirën për sa kohë ju do e zgjidhni atë kryetar. Fakti që ne nuk replikojmë dot ballë për ballë me të nuk është problemi ynë, por i tij, që nuk është në këtë sallë. Rekomandimet e BE-së në 8 prej tyre kërkojnë kontributin e opozitës. Bujrum, ja ku i keni këto nisma dhe i votojmë. Nuk i doni të gjitha, vazhdojmë me një, ligjin e Gjykatës Administrative, me të cilin keni punuar dhe ju. Sot ishte ditë e provës për opozitën jo për ne. Ne nuk kemi thënë kurrë që kemi një kurs të ri, sepse nuk kemi nevojë për të. Ju keni thënë kurs të ri, por me politikë të vjetër.