E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton nesër Buxhetin antikrizë dhe atë të rritjes së pagave e pensioneve

16-12-2012 / Gazeta 55

Diskutohet dhe votohet nen për nen projektbuxheti i vitit 2013

P/buxheti është i fokusuar te rritja ekonomike dhe reflekton specifikat e vitit të ardhshëm. Sfidat e buxhetit rritja e pagave dhe pensioneve si dhe investimet në infrastrukturë

Projektbuxheti për vitin 2013, pas miratimit nen për nen në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, do të mbërrijë të hënën për miratim në Kuvend në një seancë të posaçme pas më shumë se një muaji diskutimesh. Projektbuxheti i vitit 2013 u miratua në parim në seancë plenare më 7 dhjetor 2012 pas diskutimeve që zgjatën mbi 9 orë. Përgjatë kësaj jave të gjitha komisionet kuvendore zhvilluan seanca dëgjimore me përfaqësues të institucioneve buxhetore. Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë prezantimit në Kuvend, tha se projektbuxheti është i fokusuar te rritja ekonomike dhe reflekton specifikat e vitit 2013. “Rritja ekonomike është çelësi i rivitalizimit të ekonomisë dhe do të reflektohet edhe në financat publike për vitin që vjen”, deklaroi Bode, ndërsa ritheksoi për të disatën herë që ekonomia jonë i bëri ballë sfidës së krizës ekonomike globale. Sipas tij, edhe ky buxhet përballet me sfida që reflektohen nga kriza, zgjedhjet elektorale, por edhe situata energjetike. Niveli i të ardhurave në buxhetin e vitit 2013 parashikohet rreth 360.7 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.8 për qind kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012, ose në nivelin 25.2 për qind të PBB. Bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit të deficitit, shpenzimet totale buxhetore për vitin 2013 parashikohen në masën 409 miliardë lekë ose 28.6 për qind e PBB-së. Burimet do të përdoren kryesisht për mbajtjen e deficitit buxhetor në nivelin 3.4 për qind të PBB, rritjen e diferencuar të pagave në masën 2-5 për qind (arsim e shëndetësi 3-4 për qind), rritjen e diferencuar të pensioneve në masën 4 për qind për qytetin dhe 5 për qind për fshatin, dhe mbajtjen e një ritmi të qëndrueshëm të investimeve publike në 5 për qind të PBB. Për mazhorancën buxheti i vitit të ardhshëm është më i madhi në histori, pasi përmbush në tërësinë e tij, objektivat buxhetorë si instrument i mbështetjes sociale dhe vazhdimit të investimeve në infrastrukturë. Sipas premtimeve të qeverisë, dy vitet e para të mandatit të ardhshëm, do jenë vitet ku rrjeti rrugor në vend do ketë mbaruar së ndërtuari.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›