Rama, lajthitje dimërore

Ëndrrat dimërore të kreut të PS-së nuk po ushqehen vetëm nga paniku për humbjen e zgjedhjeve, por edhe nga hipotermia që e kaploi në Durrës. Thirrjet për qëndrimin 8 vjen në pushtet u gërshetuan me dyshimin se mos kryebashkiaku i Durrësit ia ka me hile, meqenëse nuk i ka ngrohur sallën dhe e ka mbajtur të ftohtë atmosferën e mitingut. Lajthitja dimërore po e shtyn të hamendësojë për grupe armiqësore, pasi në rend të ditës tani kanë dalë akuzat ndaj atyre deputetëve që duan të dinë paraprakisht nëse do të jenë në listat e ardhshme elektorale
Vangjush Dako ka “sabotuar” pa dashje takimin e djeshëm të Edi Ramës në Durrës. Kryetari i Bashkisë bregdetare nuk kish marrë masa për ngrohjen e sallës në të cilën do të mblidheshin delegatet socialistë. Në të vërtetë në sallë kushtet klimaterike ishin të këqija, aq sa njerëzit dhe deputetët në podium fërkonin duart dhe shpërngoheshin në karrige. Kjo gjendje është qortuar sakaq nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili duke marrë fjalën theksoi se, “I them Vangjushit salla duhej të ish ngrohur më parë. Pasi nëse fajin e ka gjithmonë Saliu, ne këtu po plevitosemi”. Më pas kreu i PS Edi Rama falënderoi parafolësit për mozaikun e kuptimplotë që dhanë për dhunën kundër gruas, “nuk dua të marrë shumë koha juaj, edhe në kushtet klimaterike ku po diskutojmë, të ndalem sa më shpejt në disa pika që besoj janë të rëndësishme për tu nënvizuar”.
Kështu nisi fjala e shefit të opozitës në “forumin dialog për të ardhmen” nga ku janë diskutuar çështje sociale dhe prezantuar vizioni i opozitës, si pjesë e programit për një “Rilindje Shqiptare. Sigurisht nuk munguan thirrjet për qëndrimin 8 vjen në pushtet, gjoja për të plotësuar “Rilindjen ekonomike”, të cilën u gërshetuan me dyshimin se mos kryebashkiaku i Durrësit ia ka me hile, meqenëse nuk i ka ngrohur sallën dhe e ka mbajtur të ftohtë atmosferën e mitingut. Në kushte të vështira klimaterike, lajthitja dimërore po e shtyn të hamendësojë për grupe armiqësore, pasi në rend të ditës tani kanë dalë akuzat ndaj atyre deputetëve që duan të dinë paraprakisht nëse do të jenë në listat e ardhshme elektorale.
Dy ditë më parë kryetari PS mblodhi në Fier të gjithë kryetarët bashkive, të administruar nga përfaqësues socialistë për të folur rreth fushatës së ardhshme elektorale. Qazim Sejdini, Vangjush Dako e Niko Peleshi janë ankuar jo vetëm për rezervat që kanë për buxhetin e ri, por dhe për faktin që klimën që deputetë e PS kanë krijuar në Elbasan, Korçë dhe Durrës. Mësohet se Edi Rama ka qortuar ashpër deputetë socialistë të këtyre qarqeve, pasi sipas tij, në vend të shkojnë në bazë për të takuar qytetarët, kanë filluar të kapin kupolën lokale të PS, ngase halli më i madh është rikandidimi. Rama ka deklaruar se s’duhet të kenë punë me organizatat e PS, pasi duhet të takojnë popullin.
Në këtë mënyrë lista e ardhshme për deputet si përfaqësues të PS ka ndezur “merkaton” e brendshme. Para disa ditësh deputeti Damian Gjiknuri gjatë një interviste televizive u shpreh se “listat para se të miratohen duhet të konsultohen me bazën dhe elektoratin. “Unë them që të bëhet një proces konsultimi edhe me elektoratin edhe me njerëzit për listën e mundshme. Unë them se pjesa më e madhe e grupit, që është deklaruar edhe nga kryetari i PS-së, ka performuar mirë edhe në kushte të vështira”.
Kuptohet vetiu që halli që ka kapur deputetë e Partisë Socialiste është shumë i madh. Një ditë më parë, Edi Rama iu përgjigj këtyre shqetësimeve me shprehjen se ekipi politik do të konfirmohet. Ndonëse deputetët nën ethet e listës janë edhe më të shqetësuar paskëtaj deklarate. Sigurisht, interesat e ngushta personalë të futjes në listën e deputetëve kandidatë janë në plan të parë, ndërsa çështjet e tjera janë kur t’i mbushet mendja Edi Ramës.