Kuvendi miraton sot projektligjin për regjistrimin e popullsisë

Parlamenti do të mblidhet sot në një seancë jashtë radhe, ku pritet të miratohet projektligji që lidhet me disa ndryshime në ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, projektligj ky i përcjellë me urgjencë nga Këshilli i Ministrave.
Kuvendi pritet të miratojë sot pa praninë e opozitës e cila bojkoton seancat plenare, projektvendimin për shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar.
Ndërkohë, Aleanca “Kuq e Zi” e cila kundërshton regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, ka paralajmëruar protestë sot para parlamentit për të kundërshtuar miratimin e këtij ligji.
Ndërkohë qeveria ka shtrënguar sanksionet ndaj gjithë atyre që nuk japin informacion të plotë dhe të besueshëm, por edhe ndaj atyre që nuk respektojnë konfidencialitetin.