Kuvendi ndalon Qeverinë të hapë “universitet” në ministri

Qeverisë së Kosovës i ka dështuar projekti që brenda Ministrisë së Administratës Publike ta krijojë një institucion të arsimit të lartë që lëshon diploma të studimeve master dhe doktorata. Ideja e Qeverisë ka qenë që me ligj të veçantë këtë punë ta kryente Instituti i Kosovës për Administratë Publike, i cili tash e dhjetë vjet funksionon me urdhëresë administrative të UNMIK-ut.
Por, projekti i Ekzekutivit është stopuar nga shumica e parlamentareve, përmes rrëzimit të Projektligjit për IKAP-in.
Me gjithë insistimin e ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, që Kuvendi ta miratonte të paktën në parim projektligjin, deputetët opozitarë kanë qenë këmbëngulës që ai të kthehej prapa në Qeveri, shkruan Koha ditore.
Opozita e cila ka dominuar gjatë votimit, është pajtuar që projektligji ta merrte “dritën e gjelbër”, vetëm në rast se ministri do të pranonte që prej tij të hiqeshin neni 12 dhe neni 17. /Indeksonline/