E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sms fleks” urë lidhëse ndërmjet prindërve dhe mësimdhënësve

Për të mundësuar një komunikim të shpejtë mes prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve, së shpejti do të fillojë zbatimi i projektit “sms fleks”, që është ofruar nga një kompani kroate “Ajkate”. Tashmë projekti ka filluar si pilotprojekt në disa shkolla të Kosovës dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Ministrisë së Arsimit me këtë kompani, do të fillojë zbatimi i tij edhe në shkollat e tjera të vendit.

Projekti “sms fleks” do të jetë një urë lidhëse më e fortë ndërmjet prindërve dhe mësimdhënësve. Ky projekt i cili është duke u pilotuar në 24 shkolla të Kosovës, u mundëson mësimdhënësve dhe prindërve që të informojnë njëri-tjetrin përmes sms-ve, për të gjitha angazhimet dhe problemet e nxënësve. Koordinatori i këtij projekti në Ministrinë e Arsimit, Azem Guri, tha për Radio Kosovën, se kjo metodë është shumë e mirë, ekonomike dhe e shpejtë. Ai sqaron se si funksionin projekti në fjalë.

“Kujdestarët e klasave janë trajnuar se si do ta përdorin këtë sistem. Kjo kryesisht shkon përmes internetit, shkollat duhet të kenë internet, nga interneti kujdestarët e klasave ia përcjellin porositë prindërve. Prindërit duhet të deponojnë numrat e telefonave. Momentin kur ju shkon porosia prindërve ata duhet të deklarohen nëse duan të abonohen apo jo. Prindi në këtë rast duhet të participojë për një shumë prej 10 sms në vlerë prej 92 cent, të cilët mund t’i përdorë për një muaj dy ose tre”, tha ai.

Guri thekson se me anë të këtij projekti bëhet një lidhje më e fortë mes mësimdhënësve dhe prindërve, duke u informuar për të gjitha aktivitetet e nxënësve.


“Në këtë rast, kujdestari i klasës ka mundësi ta njoftojë prindin për rezultate, për të arritura, për vështirësi dhe për probleme të tjera, gjithashtu edhe prindi mund ta njoftojë kujdestarin për fëmijën e tij, për ndonjë shqetësim shëndetësor apo diçka tjetër”, thekson ai.

Në përfundim të pilotimit të këtij projekti do të nënshkruhet një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe kompanisë kroate, për të filluar zbatimi i tij edhe në shkollat e tjera të Kosovës. Sipas Gurit, zbatimi mund të filloj në muajin mars ose prill të këtij viti. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›