E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi ndan mandatet për deputetë sipas precedentit të vitit 2009

01-02-2013 / Nga Leonard Quku

Relatori Edi Paloka: Kuvendi, kompetencë të plotë ligjore për ndarjen e mandateve

Shumica parlamentare mbyll përfundimisht debatin për ndarjen e mandateve të deputetëve në 12 zonat zgjedhore, për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Projekti i mazhorancës u miratua dje me 72 votat “pro”, duke lënë në fuqi skemën e përdorur në zgjedhjet e vitit 2009. Edhe pse socialistët u penduan për rrëzimin e aktit në KQZ, shumica parlamentare nuk u tërhoq, duke votuar projektin e shpërndarjes së 140 mandateve, pa ndryshuar asgjë nga skema e vitit 2009-ë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje 72 vota “pro” të mazhorancës, 63 vota kundër të opozitës dhe 1 abstenim projektvendimin “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve të 23 qershorit”. Votës pro iu bashkua deputeti i pavarur, Kastriot Islami, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule abstenoi, ndërsa deputeti Gazmend Oketa nuk mori pjesë në votim. Përgjatë tre orëve deputetët e mazhorancës dhe opozitës paraqitën qëndrimet e kundërta për draftin, i cili bën rishpërndarjen e 140 mandateve të Kuvendit, duke lënë në fuqi ndarjen e zgjedhjeve të 2009-s.
Duke qenë se KQZ nuk mori dot një vendim për ndarjen e re në mbledhjet e saj vitin e kaluar, mazhoranca e djathtë propozoi ndarjen, sipas formulës së vitit 2009. Por, për opozitën një vendim i tillë përbën një precedent të rrezikshëm për zgjedhjet e ardhshme, pasi e kompromenton procesin pa nisur.
Mazhoranca nga ana e saj theksoi se në kushtet e mungesës së një ndarje të re, rruga e vetme mbetet miratimi i caktimit të mandateve duke u mbështetur tërësisht në ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, të bëra nga parlamenti për zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s.
Në nisje të seancës, relatori i çështjes, Edi Paloka ka lexuar relacionin e miratuar nga Komisioni i Ligjeve, duke deklaruar se “KQZ konsumoi të gjithë rrugën administrative për të vendosur për çështjen e ndarjes së mandateve, duke mos mundur të miratojë vendim për këtë çështje, pasi nuk u arrit numri i kërkuar i votave pro”.
Sipas tij, në procedurën e zhvilluar në KQZ, konstatohet qartë mungesa e vullnetit të anëtarëve të propozuar nga opozita parlamentare për të mos miratuar projektvendimin. Kjo çoi që në mbledhjen e 23 nëntorit Komisioni Zgjedhor vendosi mosmiratimin e “ndarjes së numrit të mandateve” për mungesë kuorumi dhe e gjithë praktika në lidhje me këtë procedurë iu paraqit Kuvendit më 11 janar 2013”.
Paloka tha se “në përmbyllje të këtij procesi, tri konkluzione janë të rëndësishme”.
Sipas tij, “KQZ-ja e ezauroi plotësisht rrugën e saj administrative për të marrë në shqyrtim dhe vendosur për çështjen e caktimit të numrit të mandateve duke dështuar në vendimmarrjen e saj nga tre anëtarët e KQZ-së, të propozuar nga opozita parlamentare; Kuvendi ka kompetencën e plotë ligjore të miratojë caktimin e mandateve të deputetëve të çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet, pasi kjo është e parashikuar në kodin zgjedhor. Kuvendi nuk mund të lejojë futjen e procesit zgjedhor në kolaps dhe të bëhet pre e taktikave bllokuese me qëllime të pastra politike që mbahen në KQZ. Kuvendi ka detyrimin ndaj shqiptarëve dhe detyrim parësor sipas ligjit, të bëjë caktimin e mandateve të deputetëve për çdo zonë zgjedhore”, tha Paloka.
Sipas tij, meqë në ushtrimin e kompetencës së caktimit të mandateve Kuvendi nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin dhe funksionet KQZ-së, rruga e vetme mbetet miratimi i vendimit të caktimit të mandateve duke u bazuar tërësisht në ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore të bërë nga Kuvendi për zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2009.
Ndërkohë nuk munguan reagimet e përfaqësuesve të opozitës, të cilët e cilësuan vendimin e parlamentit si precedentin e parë në 22 vite pluralizëm.
Kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, duke akuzuar shumicën në Kuvend për “shkelje të Kushtetutës”, Ruçi kërkoi nga grupit parlamentar demokrat që të shtyjnë miratimin e këtij projektit, deri në gjetjen e konsensusit mes palëve.
“Jeni në shkelje të plotë të Kushtetutës. Se kuptoj se çfarë ka këtu për votuar ndryshe dhe ju ndryshe. Po u hiqni qytetarëve të drejtën e barabartë për të votuar, duke hequr një nen të Kushtetutës. Propozoj që ta shtyjmë miratimin, të gjejmë dhe të përafrojmë qëndrimet politike në zbatim të plotë të Kushtetutës, të Kodit Zgjedhor dhe të të gjithë precedentëve parlamentare”, u shpreh Ruçi.
Por, ajo që s’kuptohet nga qëndrimi i socialistëve është loja me dy standarde; së pari bllokimi i aktit në KQZ dhe së dyti, tentativa për ta rikthyer diskutimin në KQZ, pasi ky i fundit i ishte drejtuar Kuvendit për të bërë shpërndarjen e mandateve.
Kjo është dhe çështja së cilës PS duhet t’i japë përgjigje dhe të sqarojë votuesit e saj për rolin bllokues si përpjekje për të deligjitimuar dhe shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 23 qershorit.

Ndarja e mandateve për 12 zonat zgjedhore
1. Zona zgjedhore qarku Berat     -   8 mandate
2. Zona zgjedhore qarku Dibër     -   6 mandate
3. Zona zgjedhore qarku Durrës     - 13 mandate
4. Zona zgjedhore qarku Elbasan     - 14 mandate
5. Zona zgjedhore qarku Fier         - 16 mandate
6. Zona zgjedhore qarku Gjirokastër     -   5 mandate
7. Zona zgjedhore qarku Korçë     - 12 mandate
8. Zona zgjedhore qarku Kukës     -   4 mandate
9. Zona zgjedhore qarku Lezhë     -   7 mandate
10. Zona zgjedhore qarku Shkodër     - 11 mandate
11. Zona zgjedhore qarku Tiranë     - 32 mandate
12. Zona zgjedhore qarku Vlorë     - 12 mandate

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›