Kuvendi nis sesionin e ri, në fokus reforma territoriale dhe zgjedhjet lokale

TIRANË, 8 shtator/ATSH-A.Fortuzi/ Rinis sot sesioni i ri parlamentar. Deputetët do të rikthehen në sallën e seancave plenare në orën 17:00.
Sipas Kushtetutës, punimet duhet të nisin të hënën e parë të shtatorit, por për shkak të pushimit zyrtar, çelja e sesionit u shty për të martën, 8 shtator.
Fjalën e parë në seancë do ta mbajë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. Rendi i ditës parashikon vetëm çeljen e punimeve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kryetarët e grupeve parlamentare do të marrin fjalën.
Jashtë sallës së Kuvendit priten protesta nga qytetarët e ashtuquajtur “Revolucioni i Flamingove”, të cilët prej afro 100 ditësh protestojnë në shesh. Për këtë arsye, policia pritet të vendosë sërish perimetër sigurie për lëvizjen e deputetëve drejt Parlamentit.
Sesioni i ri pritet të shoqërohet edhe me debate për reformën territoriale. Në gusht, mazhoranca propozoi ndryshimin e hartës territoriale dhe reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Në fokus pritet të jetë edhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të zhvillohen në pranverën e vitit 2027.


/a.f/