Kuvendi, një minutë heshtje për çamët
Erald Kapri
Kuvendi i Shqipërisë mbajti 1 minutë heshtje në përkujtim të 66- vjetorit të tragjedisë çame, por ndryshe nga herët e tjera, kjo shenjë respekti kaloi në debate të ashpra. Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, kërkoi nga deputetët e Kuvendit të mbajnë një minutë heshtje në shenjë respekti për 27 qershorin, ditën e përkujtimit të mëse 2700 viktimave çame që humbën jetën për shkak të dëbimit nga shtëpitë dhe trojet e tyre etnike. “Ju kërkoj të mbajmë një minutë heshtje, në nderim të viktimave të pafajshme, të asaj utopie si ajo e “shtetit etnik të pastër”, që një burrë i madh, Presidenti Havel, e ka quajtur “më të rrezikshme se komunizmi””, tha Idrizi. Por kërkesa e deputetit Idrizi, nuk u respektua nga dy deputetë të Kuvendit, ndonëse kjo datë është njohur nga Kuvendi i Shqipërisë me një rezolutë të posaçme përkujtimore në nderim të këtyre viktimave. Ministri i Punës, çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta, Spiro Ksesa, i cili ende është pjesë e strukturave drejtuese të OMONIA-s, u largua menjëherë nga salla, kur deputetët u çuan në këmbë në shenjë respekti. Nga ana tjetër, Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Duke, nuk lëvizi nga karrigia e tij.
Këto gjeste shkaktuan reagimin e dy deputetëve të PDU-së, Shpëtim Idrizit e Dashamir Tahirit, por edhe të deputetëve të tjerë në sallë. Fillimisht deputeti i PS-së, Erjon Braçe reagoi në sallë duke mos miratuar largimin e ministrit Ksera, duke deklaruar se ai është pjesë e “qeverisë shqiptare”. Por më pas, në fjalën e tij para Kuvendit, deputeti Tahiri iu drejtua Vangjel Dules duke e akuzuar se është ende pjesë e bandave të Napolon Zervës, oficerit famëkeq që shkaktoi tragjedinë çame. “Më bëre përshtypje sepse nuk u çove në këmbë, kur u mbajt 1 minutë heshtje për viktimat çame. Tani të drejtohem personalisht, ose politikisht, si të duash. Po të them se ti nuk je gjë tjetër veçse një këlysh i Zervës në Parlamentin Shqiptar. Por do të mësoj unë se si mbahet zija”, tha Tahiri.
Reagimi i Dules ishte i menjëhershëm, duke deklaruar se u kërcënua në sallën e Kuvendit. Ai kërkoi që të merren masa ndaj deputetëve të PDU-së. “Nuk e di pse nuk veproni në këtë rast kur nga podiumi i Parlamentit, nga podiumi i vlerave të demokracisë dhe lirisë lëshohen kërcënime”, tha Dule. Deputetët Tahiri e Idrizi kërkuan fjalën, por drejtuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço pezulloi punimet për disa minuta. Me rifillimin e seancës, deputeti Idrizi deklaroi se deputetët e PDU-së nuk tentuan të kërcënojnë askënd.