E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Topit, me votë të hapur



Erald Kapri

Kuvendi miratoi me 73 vota të maxhorancës ndryshimet në Rregullore, që vendosin votim të hapur për të gjitha dekretet e Presidentit. Pas një debati prej mëse 5 orësh, ku opozita braktisi seancën në fund, deputetët e maxhorancës miratuan të vetëm ndryshimet. Mëse 40 deputetë debatuan ashpër për këto ndryshime, për të cilat opozita i cilësoi si dhunim të dinjitetit të deputetëve. Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi para Kuvendit vendimin për t’u larguar nga salla, ndërsa deklaroi se ndryshimet në Rregullore thellojnë krizën politike. “Amendamenti që kërkoni të votoni sot i jep një goditje të rëndë frymës së mirëbesimit reciprok, kompromisit dhe konsensusit, aq shumë të dëshiruar. Në kushtet e një krize të zgjatur 10-mujore, që e dëmton jo pak mjedisin politik, gjë e cila në qoftë se do të vazhdoni kështu, e çon përfundimisht situatën politike në Shqipëri në pikën e nisjes”, deklaroi Ruçi. Ai iu përgjigj me ironi akuzave të deputetëve të djathtë, që Rama ka lobuar me para kundër liberalizimit të vizave, duke thënë se “nga debatet që dëgjova është që kreu i PS ka dhënë para kesh ndaj ndërkombëtarëve, dhe jo ndaj kujtdo, por ndaj ministrave të jashtëm të BE-së. Një tjetër pikë, sipas jush, është se votimi i fshehtë sipas deklaratave tuaja është i vjetër, standard klientelist, korruptiv. E kuptoni se për kë bien këto daulle të nderuar deputetë të maxhorancës. Bien për ju. Jeni deputetë të korruptuar”.
Me largimin e opozitës, Kuvendi u detyrua të mbyllë punimet për të rimbledhur kuorumin e deputetëve për të miratuar ndryshimet. Kreu i demokratëve në Kuvend, Astrit Patozi, iu përgjigj largimit të opozitës duke thënë se maxhoranca nuk ka rrjedhje votash. “Mund ta kishim bërë edhe para se të shqyrtoheshin në seancë tre dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, votimi i të cilëve përfundoi, siç e dini edhe ju të gjithë, pa asnjë surprizë, por fiks, sipas vendimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Pra kjo nismë që do të miratohet sot, nuk ka parasysh as një, as dy dhe as 3 gjyqtarë të veçantë, por krijimin e një praktike transparente, e një standardi të ri, që do të funksionojë për një kohë të gjatë në këtë vend, sa herë që politika duhet të marrë vendime për pushtetin gjyqësor”, tha Patozi, i cili nuk kurseu akuzat ndaj PS-së, duke thënë se në 8 vite pushtet emëroi në sistemin e drejtësisë gjyqtarë të diktaturës komuniste.
Por më herët, deputetët e të dyja palëve debatuan ashpër për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Deputeti i PS-së Pandeli Majko i kërkoi maxhorancës të pranojë faktin se ka frikë nga rrjedhja e votës. Madje, ai i ftoi ata të bëjnë publike akuzat për emërimet e dekreteve pasi, sipas tij, në korridoret e Kuvendit nuk kanë munguar akuzat ndaj Presidentit. Deputeti tjetër i PS-së Erjon Braçe lexoi një procesverbal të Kuvendit në vitin 2002, kur kreu i opozitës së atëhershme, sot Kryeministri Sali Berisha kërkonte votë të mbyllur për emërimin e Qeverisë “Majko”. Sipas tij, ky është një standard i dyshimtë i kreut të maxhorancës. Ministri Genc Pollo mbrojti ndryshimet, duke thënë se fenomeni i rrjedhjes së votave nuk mund të largohet, edhe nëse ka votë të hapur. Ai përmendi rastin e zgjedhjes së Presidentit Topi, kur 5 deputetë të PS-së erdhën dhe votuan në sallë, ndonëse kishte votim të mbyllur, duke shprehur rrjedhjen brenda opozitës. Më tej, deputetët e komisionit të ligjeve, por edhe të Këshillit të Rregullores, dhanë argumentet e tyre pro dhe kundër. Kastriot Islami tha në fjalën e tij se këto ndryshime duhet të debatohen më gjerë, për të gjetur një model të përshtatshëm. Diskutimi i deputetëve të djathtë, si Enkelejd Alibeaj, Arenca Trashani, Eduard Halimi etj, u përqendrua te llogaridhënia dhe transparenca, por deputetët e opozitës thanë se kjo është sa për “sy e faqe”. Sipas deputetëve Gjiknuri e Felaj, dekretet e Presidentit do të votohen me votim të hapur, por sipas tyre, emërime të thjeshta në Ente Rregullatorë apo edhe heqja e imunitetit të deputetëve do të bëhet me votim të fshehtë. Sipas tyre, ky fakt tregon që ndryshimi i Rregullores bëhet për interesa të ditës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›