E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, rikthehet debati për spiunët

BLEDAR HOTI 

Maxhoranca do të synojë arritjen e një konsensusi me opozitën për çështjen e hapjes së dosjeve, pas një dështimi të arritur në sesionin e kaluar parlamentar. Në programin e punës së Kuvendit për periudhën 1 shtator deri më 31 tetor janë përfshirë të tre projektligjet e paraqitura nga socialistët, demokratët dhe demokristianët, ndërsa në kalendarin e punimeve është përfshirë shqyrtimi nga komisioni i Ligjeve i vetëm një drafti. Në pikën 18 të kalendarit të punimeve nga 1-22 shtator shkruhet se komisioni parlamentar i Ligjeve do të shqyrtojë vetëm një draft "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve", i cili është paraqitur nga ana e deputeti të PD-së, Aldo Bumçi. Kalendari i punimeve nuk përmban se në cilën seancë do të votohet ky p/ligj, duke lënë që ai të realizohet në mesin e dytë të muajit shtator. Në axhendën e punimeve si pjesë e rëndësishme e punës përfshihet edhe shqyrtimi i projektligjit  "Për administratën gjyqësore", që shihet si pjesë e paketës së reformës në sistemin e drejtësisë. Ndërsa komisioni parlamentar i Sigurisë pritet të shqyrtojë brenda dy javëve projektligjin "Për Kontrollin e Brendshëm në ministrinë e Brendshme", si dhe ndryshimet në ligjin "Për shërbimin e detyrueshëm ushtarak". Çështjet e pronësisë pritet të jenë në fokusin e shqyrtimeve të komisioneve parlamentare. Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin do të shqyrtojë brenda dy javëve p/ligjin "Për një shtesë në ligjin nr.8053, datë 21.12.1995, "Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore". Kjo nismë e qeverisë është e kontestueshme nga ana e opozitës. Gjithashtu, në rendin e ditës është edhe nisma e deputetit të PR-së, Arjan Madhi, për të amenduar ligjin 7501 "Për tokën", të ndryshuar". Pjesa më e madhe projektligjeve janë futur sërish për rishikim, për shkak se kanë mbetur pa u votuar në sesionin parlamentar të kaluar që u mbyll më 31 korrik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›