Spotet e Berishës, PD përplaset me G99
Spoti publicitar i ndërmarrë nga Kryeministri Berisha për të denoncuar korrupsionin ka përplasur po nëpërmjet një spoti publicitar PD-në me G99-ën. Fillimisht kreu i qeverisë nëpërmjet një spoti rreth 7 minuta ka prezantuar shkurtimisht arritjet e qeverisë dhe nëpërmjet një dalje para kamerës ka vënë në dispozicion numrin e tij të telefonit, ku u kërkon qytetarëve që të denoncojnë korrupsionin. "Me ndihmën tuaj kemi vendosur para ligjit mbi 100 zyrtarë të korruptuar, kemi kursyer mbi 2.2 miliardë dollarë. Së bashku kemi ende shumë për të bërë, sepse sërish ka zyrtarë që kërkojnë para në dorë. Numri im i telefonit është 0692099410 dhe do të jetë gjithmonë i hapur për mesazhet tuaja", thekson Kryeministri në spotin publicitar. Ndërkohë, nëpërmjet një tjetër spoti G99 ka ironizuar reklamën e kreut të qeverisë. "Alo mirëmroma! Alo Sali Berisha? Po kape telefonin mer burr! Po pse duhet fushata publicitare kur lufta kundër korrupsionit ka qenë e suksesshme? Lekë për korrupsion po, lekë për spotin po, edhe lekët e telefonit un do i paguj? Alo mir...! Alo më merr te 3310 dhe më kthe përgjigje të lutem", thuhet në spotin e G99. Por nëpërmjet një deklarate për mediat, zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani e ka quajtur antikombëtar spotin, ndërsa Erjon Veliajn si nënkryetarin de facto të PS-së. "Edi Rama me njërin prej zëdhënësve të tij kryesorë apo nënkryetarin de facto të PS, që ka ndërtuar vilën me paratë e vjedhura me lëvizjen "Mjaft", që për t'i mbuluar u detyrua të marrë me vete edhe kompjuterin, ku mbaheshin financat në dhunim flagrant të ligjeve të vendit, ka vendosur antireklamën për thirrjen që Kryeministri i Shqipërisë po u bën qytetareve shqiptarë për të luftuar ryshfetin", theksoi dje Bogdani.