E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore, Gjinushi e Milo mbështesin Ramën

Në takim u diskutua mundësia e daljes së forcave të majta në zgjedhjet e 2009-ës me qëllim fitoren e zgjedhjeve

TIRANË- Hidhen bazat e koalicionit të ardhshëm, me të cilin e majta do të konkurrojë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Pas një periudhe të gjatë marrëdhëniesh pothuajse inekzistente, opozita, megjithëse jo e plotë, ka lënë pas të shkuarën konfliktuale dhe ka nisur punën për ringritjen e koalicionit elektoral. Me iniciativën e kryetarit të Partisë Socialiste, është zhvilluar dje takimi i parë informal në rang kryetar partish, në qendër të të cilit ka qenë pikërisht gjetja e rrugëve të cilat do të bënin të mundur sheshimin e mosmarrëveshjeve mes të majtëve dhe maksimizimin e rezultatit në zgjedhjet e qershorit.

Takimi

Në takimin, ku përveç Ramës merrnin pjesë edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi dhe ai i Demokracisë Sociale, Paskal Milo dhe ku mungonte kreu i LSI-së, Ilir Meta, është diskutuar gjerësisht për reformën zgjedhore dhe hapësirat që lejon sistemi i ri zgjedhor, i sanksionuar tashmë në Kushtetutë, për aplikimin e atyre formulave të bashkëpunimit, që do të bënin të mundur arritjen e një rezultati sa më pozitiv për gjithë spektrin e majtë. Burime pranë këtij takimi kanë konfirmuar për “Shekullin” se gjatë takimit, kreu i socialistëve, Edi Rama ka informuar aleatët e vet lidhur me ecurinë e deritanishme të Reformës Zgjedhore dhe mënyrën se si PS e percepton kompletimin e saj edhe sa i përket çështjeve të rëndësishme siç është ajo e koalicioneve parazgjedhore apo dhe administrimi i procesit përgjatë dhe paszgjedhor. Përsa i përket çështjes së koalicioneve, kryesocialisti ka sqaruar Gjinushin dhe Milon se si parashikohet dhe çfarë mundësish bashkëpunimi ofron koalicioni i përbërë, të cilin e kundërshton me shumë forcë Lëvizja Socialiste për Integrim. Për këtë pikë, duket se edhe dy aleatët, Milo dhe Gjinushi, janë bindur për efektet pozitive që realizon koalicioni i përbërë sidomos në aspektin garës mes dy blloqeve politike, të majtës dhe të djathtës. Gjithashtu, nga të njëjtat burime mësohet se gjatë bisedës Rama është treguar i prerë, për të mos toleruar në drejtim të kërkesës së LSI-së për të bërë dhe një korrektim kombëtar të votave të partive politike. Ndërkohë sa i përket qëndrimit të LSI-së, të tre krerët janë shprehur jo vetëm gjatë takimit por edhe pas tij, të hapur për të vazhduar përpjekjet për ta shkëputur atë nga misioni minues i fitores së të majtës dhe për ta bindur atë që të bashkëpunojë me të majtën.

Deklaratat

Kreu socialist Edi Rama megjithëse e ka cilësuar kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, si mik të tijin, nuk ka ngurruar të shprehet se ky i fundit po i shërben qëllimit të Berishës për ta mbajtur të majtën të përçarë. “E kam thënë dhe e përsëris, Ilir Meta është miku im, dhe jam i keqardhur teksa e shoh përditë e më të mllefosur ndaj Partisë Socialiste, përditë e më thellë në batakun e politikës së vjetër, duke bërë kësisoj një punë jo të mirë për ata njerëz që e ndjekin pas dhe duke bërë që tek ai, Sali Berisha të shohë shpresën e tij të fundit. Por sidoqoftë ne do të fitojmë zgjedhjet e 2009”,- tha Rama pas takimit duke i bërë njëkohësisht thirrje atij, që të heqë dorë nga interesat e ngushta personale. Rama theksoi gjithashtu se zgjedhjet do t’i fitojnë qytetarët dhe jo kryetarët. Ndërkohë kreu i PDS-së, Paskal Milo ka siguruar për mediat se pavarësisht largësive të tanishme në qëndrime me LSI-në, do të vazhdojë përpjekjet për të bindur edhe këtë forcë që të bëhet pjesë e koalicionit të ardhshëm opozitar. --------Rama:

“E kam thënë dhe e përsëris, Ilir Meta është miku im, dhe jam i keqardhur teksa e shoh përditë e më të mllefosur ndaj Partisë Socialiste, përditë e më thellë në batakun e politikës së vjetër, duke bërë kësisoj një punë jo të mirë për ata njerëz që e ndjekin pas dhe duke bërë që tek ai, Sali Berisha të shohë shpresën e tij të fundit. Por sidoqoftë ne do të fitojmë zgjedhjet e 2009”.

Milo:

“Kemi pasur një takim miqësor ku kemi shkëmbyer mendime rreth formulës së koalicionit të përbërë dhe rreth bashkëpunimit të mëtejshëm me PS për Kodin Zgjedhor dhe më gjerë, prandaj sot ne si PDS, shprehim edhe një herë vullnetin për ta vazhduar këtë frymë bashkëpunimi pa përjashtuar as edhe partnerët e tjerë të së majtës me të cilët, ashtu siç kemi vazhduar takimet deri më sot, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, sepse rrugët për t’u marrë vesh ende nuk janë mbyllur”.

Gjinushi:

“Është për t’u përshëndetur fakti që sistemi i ri zgjedhor nuk i pengon koalicionet, pra duhet kuptuar se kjo është " reja" pra nuk është se janë shpikur koalicionet, por çdo sistem demokratik e lejon bashkëpunimin e sinqertë dhe të ndershëm dhe të jesh kundër koalicioneve që japin një hapësirë për bashkëpunim është nonsens politik, sepse çdo hapësirë që rrit bashkëpunimin që mundëson është demokratike dhe pozitive”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›