E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rrëzon uljen e TVSh-së

SHKRUAN: Sabina Veizaj 23-12-2011 11:56

Bie projekti social i socialistëve, mbetet për t’u realizuar kur të vijnë në pushtet. Projektligji për heqjen e TVSh-së u rrëzua me 73 vota të mazhorancës, ndërsa vetë opozita i dha 63 vota pro projektit të saj. Ja debatet:

Ashtu siç ishte lajmëruar, mazhoranca i ka thënë Jo dje në Kuvend propozimeve të opozitës për uljen e TVSh-së për ushqimet dhe rivënien e tatimit progresiv në vend të taksës së sheshtë. Deputetët e mazhorancës konfirmuan dje në seancë plenare me 73 vota kundërshtimin e tyre ndaj projektit social të socialistëve për heqjen e barrës fiskale të TVSh-së për disa produkte bazë ushqimore të shportës, energjisë elektrike, karburantit, etj. Ashtu siç e kishin paralajmëruar edhe gjatë mbledhjes së komisionit kuvendor të Ekonomisë, deputetët e shumicës i thanë Jo projektit të opozitës, me argumentin se projekti në fjalë, i paraqitur në Kuvend, është joserioz, nuk ka impakt të drejtpërdrejtë te qytetari shqiptar, bie në kundërshtim me MSA-në dhe direktivat e BE-së, por mbi të gjitha është burim i nxitjes së evazionit fiskal. Në gjykimin e ministrit të Financave, Ridvan Bode, draftligji i PS-së është një demagogji politike, pasi nuk do të ulë nivelin e varfërisë siç pretendohet. "Është një amalgamë dogmash pa sens, që u serviren shqiptarëve si platforma të një reforme fiskale. As vetë PS-ja nuk beson realisht se një ulje e TVSh-së do të ulte nivelin e varfërisë në vend. Kjo është për të përfituar bizneset pranë PS-së. Këto që po serviren sot nga PS-ja janë metoda të kaluara. Qeveria, për të mbështetur këto shtresa në nevojë, ka hartuar ligjin për deklarimin e të ardhurave personale. Ne e pranojmë, se ende ka shtresa të varfra që duhen ndihmuar, megjithëse është përgjysmuar niveli i varfërisë. PS-ja nuk duhet t'i referohet programit të PD-së në opozitë. Realiteti shqiptar është krejt tjetër. I propozoj PS-së se, pa një program të mirëfilltë politik dhe ekonomik nuk do të vijë në pushtet", theksoi ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë diskutimit të tij në seancën e djeshme plenare. Nga ana e tij deputeti socialist Erion Braçe deklaroi se, nëse miratohet ky pr.ligj qeveria do të sjellë më shumë para për xhepat e veta dhe më pak për xhepat e qytetarëve. “Keni thënë që jeni partia e taksave të ulëta, vetëm tatimin mbi fitimin keni ulur, duke u bërë nder kompanive që janë rreth jush. Njëra prej kompanive celulare, ajo më e madhja, e ka 59% normë e fitimit. Berisha dhe ministri i Financave nuk e dinë sa janë çmimet, nuk kanë zbritur poshtë pallatit ndonjëherë. Berisha më 2005 premtoi uljen e TVSh-së dhe nuk e mbajti këtë premtim. Thuaji shqiptareve që ju i gënjyet, që qeveria juaj i gënjeu, më 2005 i propozuat të njëjtën gjë që po sulmoni sot. Ju e keni hedhur barrën fiskale te njerëzit që blejnë miell e sheqer dhe ia keni liruar atyre që hanë peshk. Keni ngarkuar çdo njeri që jeton me djersën e ballit, keni rritur të gjitha taksat indirekte. Barra e taksave po bie mbi kurrizin e atyre që konsumojnë”, u shpreh deputeti socialist Erion Braçe. Në përgjigje të tij, ministri Bode tha se “Nuk kemi mohuar kurrë që kemi pasur më 2005-ën një program për uljen e TVSh-së, por jo me ato shifra të ulëta që thoni ju. Ne premtuam uljen e TVSH-së në masën 70%, por vendosëm taksën e sheshtë si masa më e mirë për të mbështetur rritjen ekonomike. Ju kërkoni të hidhni në Parlament programin e Berishës”. Në të njëjtën kohë ministri Bode theksoi se PS-ja po manipulon shifrat, por nuk mund të manipulojë të vërtetën. Ai tha se lideri i PS-së, Rama, ka një mani për të kopjuar Berishën, por kështu nuk mund të vijë në pushtet. “Keni një mani të kopjoni Sali Berishën. Kur Berisha e tha më 2004 se do ulim TVSH-në, ju thatë që nuk vlen. Mania për të kopjuar Sali Berishën nuk mund të sjellë në pushtet Edi Ramën. Shqiptarët e kanë një Sali Berisha dhe e kanë votuar”- u shpreh ministri Bode. Ndërsa sipas Braçes, qeveria ka rritur të gjitha taksat indirekte, duke përfshirë edhe akcizën dhe barra, sipas tij, nuk anon nga biznesi por mbi kurrizin e qytetarëve. Në përgjigje të akuzave të Braçes, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama kanë maninë për të imituar kohën kur ishte në opozitë Partia Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›