Tjetër thyerje e vendimit të grupit, 3 deputetë të PS bashkojnë votat me PD
Tre deputetë nga opozita kanë votuar dje pro kandidaturës së Riçard Markut si anëtar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, duke bashkuar votat me mazhorancën, e cila nga 71 vota që ishte në sallë shkoi në 74
Përjashtimi i Kastriot Islamit nga grupi parlamentar socialist nuk ka shërbyer aspak për disiplinimin e sjelljes së deputetëve të majtë në Kuvendin e Shqipërisë. Megjithëse në mënyrë të hapur askush nuk ka mundur dot dje të thyejë vendimin e grupit, kjo nuk mund të thuhet kur votimi ka qenë i fshehtë. Kështu, të paktën 3 deputetë socialistë kanë vepruar ndryshe nga pjesa tjetër e grupit të tyre dhe kanë bashkuar votat me mazhorancën, duke miratuar Riçard Markun si anëtar të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Por ndryshe nga herët e tjera, kjo vlen vetëm për të treguar se grupi parlamentar socialist sërish nuk është i unifikuar, pasi përsa u përket masave të tjera disiplinore ato nuk mund të merren, pasi votimi ishte i fshehtë dhe deputetët “rebelë” nuk mund të evidentohen.
Rrjedhja e votave
Vetëm dy ditë pasi vendosi me shumicë votash për të çregjistruar Kastriot Islamin për thyerje të vendimit politik, duke mos marrë pjesë në votimin e seancës së javës së shkuar, dje nga grupi socialist kanë rrjedhur sërish tri vota. Kjo ka ndodhur pikërisht në rastin e votimit të anëtarëve të bordit të Mbikëqyrjes Financiare. Kështu, ndërsa mazhoranca për shkak të mungesave të kryeministrit Sali Berisha, kreut të PDIU-t Shpëtim Idrizi, dhe të një deputeti tjetër, kishte në sallë vetëm 71 vota, çka u tregua në të gjitha votimet e tjera të zhvilluara në seancën e djeshme, ndërsa në një rast të vetëm, siç ishte ai i miratimit të emrit Riçard Markut si anëtar të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ka marrë 74 vota pro. Rrjedhja e votave të opozitës vërtetohet edhe nga ana tjetër, po të shohim se në të gjitha votimet e projektligjeve të tjera opozita pati 62 vota kundër, ndërkohë që në votimin e Riçard Markut ajo u tkurr në vetëm 59 vota, çka tregon se me shumë gjasa një deputet socialist tjetër nuk ka votuar fare.
Çështjet e tjera
Por rrjedhja e votave ka ndodhur vetëm për këtë kandidaturë, pasi për çështjet e tjera opozita është treguar solide duke ruajtur 62 votat e saj. Kështu, kandidatura e dytë e miratuar për postin e anëtarit të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Miranda Ramaj ka marrë 71vota pro dhe 62 kundër. Po ashtu edhe ligji “Për mbikëqyrjen elektronike të të burgosurve” ka marrë 71 vota pro dhe 62 kundër; apo edhe Akti Normativ për një ndryshim në Buxhetin e Shtetit të vitit 2012. Çka tregon më së miri se mazhoranca kishte dje në sallë vetëm 71 vota, ndërkohë që opozita 62.
Tashmë pritet që kjo çështje të bëhet sërish objekt debati në grupin parlamentar socialist, i cili duket se e ka të vështirë të vendosë disiplinën në respektimin e statutit dhe të rregullores. Ndërkohë që gjatë votimit të Riçard Markut nuk kanë munguar edhe akuzat e socialistëve për emërime nepotike, duke i kërkuar asaj që të mos votojë për të se ishte në konflikt interesi. “Ti mos voto, se ke konflikt interesi”, - tha deputeti socialist Taulant Balla. Por një akuze të tillë kryeparlamentarja i është përgjigjur “Po pse more, gjithkush që është nga Shkodra është i imi?”. Riçard Marku është aktualisht jurist në Kuvendin e Shqipërisë.
Islami, anëtar i delegacionit në KE,
debat PD-PS për partinë që përfaqëson
Kastriot Islami ka prishur konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës. Nuk bëhet fjalë për konsensusin e arritur disa javë më parë për ligjet me 3/5, por për miratimin e delegacionit të Parlamentit Shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Europës. Ndryshe nga herët e shkuara, delegacioni në fjalë nuk është miratuar me konsensus siç edhe ka qenë traditë, por për të rimandatuar anëtarët e tij është dashur të votohej. Kjo pasi shumica e djathtë dhe opozita e majtë nuk kanë mundur të gjejnë mirëkuptimin për përbërjen e delegacionit, pasi socialistët kanë kërkuar me ngulm që të balancohet përbërja, duke evidentuar se kanë vetëm 3 përfaqësues, duke mos e konsideruar Kastriot Islamin si deputet të PS-së. Fillimisht kryeparlamentarja Topalli ka tentuar ta kalojë me konsensus miratimin e delegacionit, por ka ndërhyrë kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi, i cili ka ngritur shqetësimin e tij se në të nuk pasqyrohej balanca mes shumicës dhe opozitës. “Në fillim të sesionit diskutohen emrat e delegacionit. Por ashtu si edhe një vit më parë sërish ka probleme me raportet pozitë/opozitë. Na u premtua se do të rregullohej dhe sërish jemi në të njëjtën gjendje. PS ka pasur Arben Ahmetajn si anëtar dhe Olta Xhaçkën dhe Damian Gjiknurin si zëvendësues. Ndërsa ju keni 3 anëtarë dhe 1 zëvendësues. Ky nuk është raporti i balancuar”, - tha Ruçi. Por ndaj një kërkese të tillë ka reaguar kryeparlamentarja Topalli, e cila ka theksuar se mazhoranca dhe opozita sërish është e përfaqësuar me nga 4 deputetë. Sipas Topallit, në delegacion janë pjesë 3 të PD-së dhe një PDIU-t si pjesë e mazhorancës dhe nga ana tjetër opozita ka 3 deputetë socialistë dhe Kastriot Islamin si të pavarur. “4 të mazhorancës dhe 4 të opozitës. Rregullorja e KiE kërkon përfaqësim proporcional. E vërteta është se një deputet nuk është në grupin e PS-së, po mbetet në opozitë. Ka 3 anëtarë PD-ja, 3 PS-ja, 1 është përfaqësues i një partie të vogël dhe i fundit është zoti Islami”, - tha Topalli, ndërsa nuk ka ngurruar të provokojë opozitën me Islamin, të cilin e ka quajtur si një deputet me shumë vlera përsa kohë që është i vetmi që ka mundur të bëhet raportues i KiE-së për vendet e tjera. “I vetmi Kastriot Islami, i opozitës, por e vlerësoj faktin”, - tha Topalli. Por opozita, e cila nuk ka dashur ta kanalizojë debatin në këtë çështje, ka theksuar se kur kërkon balancim nuk ka parasysh këtu prezencën e Islamit si anëtar i delegacionit, por baraspeshimin e deputetëve në rolin e anëtarit të Asamblesë. Dokle ka shpjeguar se nga 4 deputetë në rolin e anëtarit të Asamblesë, 3 i ka mazhoranca dhe 1 opozita, ndërsa nga 4 deputetët në rolin e zëvendësuesit 1 e ka mazhoranca dhe 2 PS, duke mos e evidentuar Islamin fare si pjesë e saj. Nisur nga këto raporte, Dokle në emër të grupit ka kërkuar që ajo që kërkon PS është që të balancohet përbërja e deputetëve anëtarë të Asamblesë në 2 me 2 nga 3 me 1 që është tani. Kërkesë kjo që është hedhur poshtë nga përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët kanë theksuar se është e natyrshme që një mazhorancë të ketë më shumë anëtarë në një delegacion, çka sipas tyre e ka konfirmuar vjet edhe vetë Asambleja e KiE-së. Për shkak se ka munguar mirëkuptimi, përbërja e delegacionit e propozuar që në fillim nga Topalli është hedhur në votë, duke u miratuar me 71 vota pro dhe 62 kundër. Kështu, Shqipëria do ketë sërish të njëjtët përfaqësues, 3 nga PD-ja, 3 nga PS-ja, një nga PDIU dhe Kastriot Islamin.
Debatet për Islamin,
Rusmali: Mos u merrni me të, në KE është i rëndësishëm
Topalli: Miratojmë të njëjtin delegacion për në asamblenë e KiE-së? Dakord?
Ruçi: Jo, s’mund të jemi dakord, se është një shqetësim që ne e kemi ngritur edhe vjet.
Sërish ka probleme me raportet pozitë/opozitë. Na u premtua se do të rregullohej dhe sërish jemi në të njëjtën gjendje. PS ka pasur Arben Ahmetajn si anëtar dhe Olta Xhaçkën dhe Damian Gjiknurin si zëvendësues. Ndërsa ju keni 3 anëtarë dhe 1 zëvendësues. Ky nuk është raporti i balancuar. Kjo është prova e parë që duhet të japë mazhoranca.
Topalli: Jam konsultuar me kryetarët grupeve, solla rikonfirmimin e atij që ishte. 4 të mazhorancës dhe 4 të opozitës. Rregullorja e KiE kërkon përfaqësim proporcional. E vërteta është se një deputet nuk është në grupin e PS, po mbetet në opozitë. Ka 3 anëtarë PD, 3 PS një është përfaqësues i një partie të vogël dhe i fundit është zoti Islami. I vetmi që është bërë raportues për vendet e tjera. I vetmi Kastriot Islami, i opozitës, por e vlerësoj faktin.
Dokle: Më duket se po abuzoni me emrin e zotit Islami. Thoni 3 me 3, por ju keni 3 anëtarë, ndërsa ne kemi 1 anëtar dhe 2 zëvendësues. Ndërsa ju keni më pak zëvendësues. Zëvendësuesi nuk mund të marrë fjalën, nëse nuk ia jep anëtari dhe një anëtar i PD nuk do ia jepte. Bëni 2 anëtarë nga PD dhe një zëvendësues dhe po kështu nga PS. Ju dhe zoti Berisha keni qenë anëtarë dhe s’e keni marrë fjalën, se nuk ju ka lënë zoti Berisha.
Topalli: Sigurisht që ka rregulla.
Rusmali: Të mos bëjmë aritmetikë. Çështja që po ngrenë kolegët opozitarë është ngritur në janar 2010 në asamblenë e KiE, fjalë për fjalë. Është vënë në lëvizje Asambleja e KiE dhe ata burrat e gratë atje kanë bërë raport të posaçëm, është dokument zyrtar, nuk gënjej dot. Kanë thënë se përfaqësimi i opozitës me 3 anëtarë, një anëtar dhe 2 zëvendësues është proporcional. Është thënë dhe është votuar. Nëse doni të angazhoni prapë asamblenë bujrum! Por ju them se do shkoni në Strasburg dhe do thoni se nuk pëlqeni Kastriot Islamin. Mos e çilni atë derë, respektoni Islamin, se në asamblenë e KiE është një nga njerëzit që respektohet e nderohet më shumë. Ky si deputet mban në dorë një mision raportimi shumë të rëndësishëm e delikat, se çështja për të cilën raporton ka impakt ndërkombëtar, ndaj të nderuar kolegë mos e çilni atë derë.
Dokle: Nuk kemi gjë me zotin Islami. Të vazhdojë raportimin për Gjeorgjinë. Por të respektohet balanca.