E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Rrëzimi i uljes së TVSh-së, lajm i keq

Lajm të keq e ka cilësuar kreu i socialistëve, Edi Rama, rrëzimin e projektit të opozitës për uljen e TVSh-së. Kreu i opozitës në editorialin e tij të radhës nënvizon se tashmë familjet shqiptare këtë fundviti do të paguajnë më shumë, ndërkohë që fitojnë shumë më pak. “Në Parlament u rrëzua plani ynë për heqjen e taksës së ushqimeve bazë e të ilaçeve. Një lajm i keq në fundviti për të gjitha familjet e zakonshme të këtij vendi. Të cilat do të vazhdojnë të fitojnë ende më pak dhe të paguajnë edhe më shumë. Do të vazhdojnë të përballen me rritje çmimesh për produktet jetike dhe për ilaçet. Do të vazhdojnë t'i paguajnë qeverisë 20 për qind taksë për çdo bukë, gotë qumësht, kokërr vezë apo aspirinë. Do të vazhdojnë të paguajnë 20 për qind taksë për drita e korrent, pavarësisht sa i paguan qeveria ata, ose edhe nëse nuk i paguan askush, ngase janë të papunë”,- shkruan Rama. Rama thekson se vendimi i fundit i Kuvendit nënvizon dallimin e qartë të programit të PS-së dhe atij të qeverisë, i cili nuk parashikon barazi në ndarjen e barrës fiskale. “Shitmendja e ministrit Bode tregoi edhe njëherë se oborri i Saliut jeton në një botë tjetër. Ndërsa ne, socialistët e progresistët e angazhuar në programin tonë të ri për rimëkëmbjen e ekonomisë, flasim për Shqipërinë reale dhe prandaj duam e do të bëjmë realitet një politikë të re fiskale. Kush fiton më pak duhet të paguajë më pak dhe kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë. E padyshim kështu do të ndodhë kur ne të mos kemi vetëm mundësinë e propozimeve, po edhe mandatin për ta zbatuar këtë politikë të re”,- shkruan Rama. Të dhënat paraprake të censusit për vitin 2011, sipas Ramës, tregojnë varfërinë drastike që ka prekur qytetarët anembanë Shqipërisë. “Janë shifra që në Kukës, Dibër, Shkodër apo Lezhë, aty ku njerëzia bombardohet me propagandën banale antiopozitare të Saliut, tregojnë një realitet tmerrues, të krahasueshëm vetëm me vende të botës së tretë për nga fuqia ekonomike e familjeve të zakonshme.

Shihni tabelën:

Tabela

Familje me ndihme ekonomike Familje Raporti

Kukës 12 244 17 079 71.7%

Dibër 14 867 29 624 50.2%

Shkodër 15 723 55 145 28.5%

Lezhë 7 663 32 794 23.4%

Elbasan 13 998 74 083 18.9%

Korçë 10 719 60 558 17.7%

Berat 5 187 38 427 13.5%

Gjirokastër 2 574 22 124 11.6%

Tiranë 1 1428 204 279 5.6%

Fier 4 279 83 547 5.1%

Vlorë 1 919 54 612 3.5%

Durrës 1 442 67 984 2.1%

TOTALI 102 043 740 256 14 %

Kodheli: Projekti i PS-së ul barrën fiskale për të varfrit

Nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Mimi Kodheli, duke mbrojtur projektin e Partisë Socialiste për uljen e TVSH-së, theksoi se synimi i vetëm është ulja e barrës fiskale për qytetarët dhe mbi të gjitha për familjet në nevojë. "Sot në Shqipëri barrën më të madhe fiskale e kanë të varfrit dhe mbi këtë logjikë mbështetet dhe nisma jonë për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për disa produkte ushqimore", deklaroi deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, dje në seancë plenare. Sipas saj, qeveria jo vetëm nuk e ka ulur TVSH-në, por ka vendosur dhe taksimin e sheshtë. "Ju e keni rritur barrën fiskale gjatë qeverisjes suaj me 1.3 milionë dollarë për çdo vit dhe kjo në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Vendosja e taksës së sheshtë nuk solli uljen e taksës, por zhvendosi barrën fiskale nga kompanitë te njerëzit e thjeshtë dhe konsumatorët, të cilët po ndiejnë vështirësi më të mëdha në përballimin e jetës së përditshme", u shpreh ajo.

Mima: Projekti i PS-së nuk ul çmimet për qytetarët

Gjatë fjalës së tij në seancën e djeshme plenare, deputeti demokrat Florian Mima, duke kundërshtuar projektin e socialistëve për uljen e TVSh-së, argumentoi se implementimi i këtij projekti nuk do të sillte uljen e çmimeve për qytetarët shqiptarë, por do të sillte vetëm përfitime për bizneset. Gjithashtu, sipas Mimës, zbatimi i këtij ligji do të sillte një evazion të madh fiskal dhe rritje të shpenzimeve për pagimin e TVSh-së. Mima argumentoi se ky projekt bie në kundërshtim me dekretet e BE-së dhe MSA-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›