E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, seancë për 100-vjetorin e Nënë Terezës

PRISHTINë- Kuvendi i Republikës së Kosovës filloi sot një seancë solemne për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së humanistes së madhe, nobelistes shqiptare, Nëna Tereze.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi duke iu drejtuar deputetëve, krerëve të lartë të shtetit, Ipeshkvisë së Kosovës, si dhe përfaqësuesve diplomatikë në Prishtinë, u shpreh se "Nëna dhe Motra jonë u bë dhe do të mbetet Nëna e të gjithëve në hapësirën tonë tokësore e qiellore. Kjo është mrekulli, është shenjtëri, është histori që s’është parë, as dëgjuar kurrë".
Duke u ndalur tek krenaria e shqiptarëve për këtë figurë botërore, Krasniqi shtoi se "brezi ynë dhe brezat që do të vijnë, jo vetëm që do të krenohen me veprën e madhe të Nënës Terezë, por do ta kenë shembull nga i cili do të mësojnë se një njeri, sado i vogël të jetë, po punoi me zemër dhe me përkushtim, mund të bëjë vepra madhështore për të mirën e familjes, të kombit dhe të mbarë njerëzimit".
Në Kosovë, shënimi i 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, i filluar me një akademi solemne për 30-vjetorin e laurimit të saj me çmimin Nobel për Paqe, vazhdon gjatë gjithë 2010-ës, të shpallur nga Presidenti i Republikës "Vit i Nënës Terezë".
Veprimtaria kulmore në Kosovë do jetë më 5 shtator, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, ku pritet të mbahet Mesha Pontifikale e udhëhequr nga Mons Zef Gashi, Arqipeshkëv i Tivarit dhe Delegat i Papës.
Në 4 shtator pas pritjes së organizuar në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës në Prishtinë në Katedralen e re, e cila ende është në ndërtim, Filharmonia-Opera e Kosovës do mbajë koncert, ndërsa në program është edhe Vigjilia e Nënë Terezës në Kishën "Shën Ndou", në Prishtinë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›