E Diel, 1 Nëntor 2026

Zidane seancë stërvitore me futbollistët e kombëtares franceze

PARIS- Zinedin Zidan i është bashkuar kombëtares franceze, duke kryer një seancë stërvitore me futbollistët në qendrën e Klerfontenit. Kjo ishte vizita e parë e Zizusë në qendrën stërvitore të kombëtares që pas Botërorit të vitit 2006, ndërkohë që ai është ftuar nga trajneri Loran Blank bashkë me portierin Fabian Bartez për të ngritur moralin e skuadrës pas dështimit në Botëror dhe problemeve të mëdha që ka hasur përfaqësuesja e “Gjelave”.

Franca ndodhet në grupin G të Europianit bashkë me Shqipërinë dhe të premten luan ndaj Bjellorusisë. Zidan u ka treguar lojtarëve disa DVD me ndeshjet në Botërorin e vitit 1998 dhe të Europianit 2000, ndërsa ka firmosur autografë për të pranishmit e shumtë. Por, ai ka përfituar nga ky moment për të treguar edhe aftësitë e tij me topin e futbollit, që edhe pas 4 vitesh ndërprerje, duken se mbeten të njëjta. “Iu urova fat për ndeshjen e së premtes me Bjellorusinë, është një brez i ri dhe ndaj tyre pritet shumë”, deklaroi Zidan. Loran Blank synonte që me këtë prezencë të dy ish-kampionëve të botës t’i rikthente ekipit kombëtar vlerat e humbura në Botërorin e Afrikës së Jugut, kur Franca u kthye në një skuadër qesharake me sherret brenda ekipit dhe u eliminua me turp.

Zidan ka qenë një nga ikonat e futbollit francez, duke kaluar madje mitin e Mishel Platini, pas fitores së kampionatit botëror në vitin 1998 dhe atij europian në vitin 2000. Ai e la futbollin pas finales së vitit 2006 në Gjermani, kur goditi me kokë Marko Materacin.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›