Kuvendi, seancë të jashtëzakonshme për votimin e kryetares dhe ministrave të rinj

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kuvendi do të mblidhet sot në orën 17:00 në një seancë të jashtëzakonshme.
Në seancën e sotme do të shqyrtohen pr/vendimet për shkarkimin dhe emërimin e ministrave të rinj të dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pas propozimit të kryeministrit Edi Rama.
Kuvendi pritet të miratojë shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, shkarkimin e ministrit të Financave, Ervin Mete si dhe shkarkimin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Gjithashtu Kuvendi pritet të miratojë emërimin e Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, emërimin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu, emërimin e Ministrit të Financave, Petrit Malaj si dhe emërimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Gjithashtu sot pritet të votohet edhe për kryetaren e re të Kuvendit, Elisa Spiropali, e propozuar nga kryeministri Edi Rama.
