E Enjte, 5 Nëntor 2026

Zjarri në Shëngjin, Ministria e Mbrojtjes: Ndërhyn helikopteri Cougar, 40 mjete zjarrfikëse, 150 forca në terren

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se pavarësisht punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, situata në vatrën e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin është problematike.

Përveç forcave zjarrfikëse të pushtetit vendor është angazhuar për shuarjen e flakëve edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura, por si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e banuara dhe bizneset në zonë.

Ministria e Mbrojtjes konfirmon se u morën masat në kohë për evakuimin e tyre, duke bërë të mundur shmangien e rrezikut.

“Ditën e djeshme operuan 20 mjete zjarrfikëse gjatë gjithë natës me 60 forca zjarrfikëse. Ndërsa sot veç helikopterit Cougar, po punojnë edhe 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas kërkesës drejtuar Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile pritet të mbërrijnë shumë shpejt dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri.

Ministria e Mbrojtjes shprehet se situata vijon të mbetet problematike pavarësisht gjithë angazhimit në nivel kombëtar.

“U bëjmë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me forcat e policisë dhe zjarrfikësit në rast nevojë për evakuim. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile për ndihmën e dhënë! Puna po vijon edhe në disa vatra të tjera ë vijojnë të jenë aktive në qarqet Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan”, thuhet në njoftim.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në rrjetet sociale thekson se “Shëngjini po përballet me një situatë tepër kritike”. Sipas tij, “Forcat zjarrfikëse dhe ushtrisë po luftojnë nga toka dhe ajri ndërsa po mbërrijnë dhe dy avionë zjarrfikës nga Italia. Policia e Shtetit është gjithashtu e angazhuar përmes Forcës Kombëtare të Sigurisë në evakuimin e banorëve dhe turistëve, në rast nevoje”, nënvizon Balla.

1 nga 5

/m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›