Berisha: Me rëndësi është heqja e imunitetit jo rrugët

Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se heqja e imunitetit nuk bëhet për të fituar kapital politik, por është një çështje madhore. I pyetur nga mediat në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun slloven Janez Jansa se nëse ka një ofertë për opozitën për tejkalimin e situatës, Berisha theksoi se me rëndësi nuk janë rrugët por heqja e imunitetit.
“Heqja e imunitetit bëhet për të bërë politikën shqiptare, zyrtarët shqiptarë, më civil të barabartë para ligjit me qytetarët e tjerë. Heqja e imunitetit është kërkesa ndërmë të drejtat dhe legjitimet të Bashkimit Evropian. Vendet e lira nuk mund të pranojnë që zyrtarët e tyre të jenë imun për keq veprimet që bëjnë në drejtim të korrupsionit dhe krimit të zakonshëm. Ka 10 vjet që ne kemi kërkuar një gjë të tillë, kemi qenë në opozitë dhe në mënyrë të përsëritur e kërkojmë. Theksoj këtu se për mua nuk kanë rëndësi rrugët, rëndësi absolute ka heqja e imunitetit. Natyrisht pas një serie dështimesh për ta hequr në rrugë parlamentare për shkak të kundërshtimit të palës tjetër, ne kemi vendosur ti drejtohemi popullit për referendum dhe absolutisht opsioni i referendumit mbetet në këmbë dhe operativ që në momentin që parlamenti nuk do të votojë heqjen e tij, sepse unë e gjykova që ky është një parim i madh i vlefshëm për të luftuar me të gjitha mjetet demokratike” tha Berisha.
Ndërsa kryeministri slloven Janez Jansa theksoi se Sllovenia vlerëson proceset e reformave që janë realizuar vitet e fundit në Shqipëri . “Ne vlerësojmë të gjitha arritjet, marrëveshjet që janë realizuar mes mazhorancës e opozitës. Nga eksperienca ime personale, e di që marrëveshje të tilla nuk janë të lehta dhe ne ketë e vlerësojmë si hap shumë të fuqishëm të rëndësishëm përpara. Vlerësojmë edhe që BE pret që ky trend do të ecë edhe më tej dhe opozita në Shqipëri, në vendimmarrjet ku është zëri i saj, kur kjo nevojitet për ecjen përpara të vendit në BE, vota e saj mund të jetë evropiane” tha Jansa.
Ai ka theksuar se opozita duhet të ofrojë bashkëpunimin aty ku duhet 3/5 e votave dhe të sillet në mënyrë të përgjegjshme." Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me çështje që kanë të bëjnë vetëm me marrëdhëniet e brendshme të shtetit. Bëhet fjalë për kërkesa të cilat BE i ka përcaktuar, jo vetëm karshi Shqipërisë, por për çdo vend që synon t`i bashkëngjitet BE-së për të realizuar standardet evropiane. Edhe kur kemi të bëjmë me heqjen e imunitetit, po ashtu, kjo është një gjë që duhet të respektohet, sepse në kuptimin evropian, kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë një matje e forcës mes mazhorancës dhe opozitës, por duhet të jetë një bashkëpunim i të gjitha forcave politike që ky hap të arrijë sa më parë. Nëse BE vendos disa kushte të cilat duhet të plotësohen, atëherë shteti kandidat, sa më parë t`i plotësojë këto kushte aq më afër pikësynimit të saj është” tha Jansa.