Kuvendi shqyrtoi 10 projektrezoluta të institucioneve të pavarura

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Kuvendi zhvilloi sot seancën plenare të radhës, ku shqyrtoi 10 projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura për vitin 2025, ndërsa në përfundim deputetët diskutuan çështje të ngritura nga zgjedhësit në zonat që përfaqësojnë.
Në fillim të seancës u shqyrtua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila vlerëson punën e institucionit në administrimin e proceseve zgjedhore, garantimin e integritetit të zgjedhjeve dhe administrimin e regjistrit të zgjedhësve.
Më pas, Kuvendi shqyrtoi projektrezolutën për veprimtarinë e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), që lidhet me kontrollin e deklarimit të pasurive, parandalimin e konfliktit të interesave dhe forcimin e integritetit në funksionin publik.
Seanca vijoi me shqyrtimin e projektrezolutave për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Institutit të Statistikave (INSTAT), Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH), Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU).
Votimi i këtyre projektrezolutave do të zhvillohet në seancën plenare të radhës.
Në përfundim të seancës, deputetët zhvilluan diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit, duke ngritur problematika që lidhen me shërbimet publike, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe fusha të tjera me interes për komunitetin, si edhe mundësitë për adresimin e tyre nga institucionet përgjegjëse.
/gj.m/ /a.g/