E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi shqyrton projektligjin për BQK-në

Kuvendi i Kosovës, në seancën e radhës, ka miratuar Projektligjin për ripranim dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, ndërkohë që në shqyrtim është Projektligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, duke prezantuar projektligjin për BQK-në ka thënë se ky projektligj është i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

“Projektligji e shfuqizon Ligjin aktual të Bankës Qendrore. Nevoja për të përforcuar bankën, për stabilitetin financiar ka bërë që ky ligj të jetë i harmonizuar me sistemin evropian të Bankës Qendrore”, ka thënë Shala.

Kryetari i Komisionit për buxhet dhe financa, Gani Koci ka bërë vërejtje për mospërcaktimin e qartë të kompetencave të bordit dhe guvernatorit të BQK-së, ndërkohë që ka kërkuar që Kuvendi të ketë më shumë kompetencë në emërimet në BQK.

Të gjitha grupet parlamentar e kanë mbështetur në parim këtë projektligj, por kanë shprehur vërejtjen e tyre për emërimet në BQK, përcaktimin e bordit të kësaj banke, ndërkohë që nga opozita është konsideruar se edhe përkundër plotësimeve ligji prapë nuk i përmbush të gjitha pritjet për funksionin e bankës së shtetit. (Kosovapress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›