E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi vijon mes debatesh shqyrtimin e pr.buxhetit dhe paketës fiskale për 2026-ën

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Kuvendi vijon prej orës 10:00 të paradites shqyrtimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2026, në një seancë të shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës.

Diskutimet janë fokusuar te rritja e të ardhurave, shpërndarja e shpenzimeve, masat sociale që parashikon buxheti i vitit të ardhshëm, si dhe ndryshimet e paketës fiskale.

Për mazhorancën ky projektbuxhet është kontrata me qytetarët, që i përgjigjet premtimeve në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit, dhe përgatit vendin për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Ndërsa opozita e ka kundërshtuar projektbuxhetin 2026, duke e cilësuar si një dokument që rrit ndjeshëm barrën fiskale për qytetarët. Sipas saj, buxheti parashikon 530 milionë euro taksa të reja, ndërsa rritja e pagës minimale sjell automatikisht rritje të kontributeve, duke rënduar shtresën e mesme dhe biznesin e vogël. Opozita ngre gjithashtu shqetësimin për keqmenaxhimin e fondeve publike, ndërsa paketën fiskale e konsideron një lehtësim për bizneset e mëdha në dëm të të vegjëlve.

Sipas të dhënave të prezantuara nga qeveria, projektbuxheti 2026 mbështetet te rritja e të ardhurave buxhetore dhe një plan investimesh të orientuar drejt infrastrukturës, energjisë, arsimit dhe bujqësisë, ndërsa një vend të rëndësishëm i kushtohet politikave sociale.

Përveç indeksimit vjetor të pensioneve, parashikohet një fond shtesë për mbështetje të përkohshme për pensionistët me të ardhura të ulëta, me synim ruajtjen e fuqisë blerëse në kushtet e rritjes së çmimeve.

Në kuadër të reformës së pensioneve, qeveria synon të rrisë ndjeshëm nivelet aktuale. Sipas parashikimeve, pensioni urban me vite të plota pune pritet të arrijë deri në vitin 2030 në 40 mijë lekë nga 27 350 lekë që është sot; pensioni urban i pjesshëm në rreth 22 mijë lekë nga 15 850 lekë aktualisht; ndërsa pensioni rural në 18 mijë lekë nga 11 500 lekë. Gjithashtu, pensioni familjar do të shkojë në 18 mijë lekë nga 11 400 lekë që është sot, ndërsa pensioni i invaliditetit parashikohet të arrijë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë. Efekti financiar i kësaj mase për vitin 2026 llogaritet në rreth 10,4 miliardë lekë dhe do të mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit. Për periudhën 2026-2030, efekti kumulativ i reformës së pensioneve vlerësohet në rreth 1,7 miliardë euro.

Projektbuxheti 2026 parashikon gjithashtu rritje të pagave në sektorë të ndryshëm të administratës publike. Paga minimale do të rritet me 10 000 lekë duke arritur në 50 000 lekë nga 1 janari 2026, një masë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat. Rritje do të ketë edhe për punonjësit mbështetës, mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e rendit dhe ushtarakët.

Në seancë u prezantuan edhe detajet e paketës fiskale 2026, e cila sjell ndryshime të rëndësishme në trajtimin e detyrimeve tatimore. Paketa parashikon fshirjen e plotë të borxheve më të vjetra se 10 vjet, ndërsa për borxhet 5-10 vjet, bizneset do të mund të shlyejnë 50% ose 75% të detyrimit tatimor, me pjesën tjetër dhe kamatat që do të fshihen. Për detyrimet 0-5 vjet, shlyerja brenda vitit 2026 shoqërohet me fshirjen e gjobave dhe kamatave.

Paketa fiskale përfshin edhe uljen e tatimit mbi pronën në procesin e rivlerësimit, nga 15% në 5%.

Një mbështetje e veçantë parashikohet për fermerët, përmes kompensimit të TVSH-së në masën 10% të vlerës së faturave të shitjes, me një fond prej 15 milionë eurosh për vitin 2026, i cili pritet të dyfishohet në vitin 2027.

Ndërkohë, për familjet parashikohet një zbritje prej 48 000 lekësh për çdo fëmijë nën 18 vjeç në deklaratën vjetore të të ardhurave, duke ulur drejtpërdrejt barrën tatimore.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›