Tregu valutor i qëndrueshëm, leku u forcua ndaj dollarit në tremujorin e tretë

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se tregu valutor vijoi të paraqitej i qëndrueshëm gjatë tremujorit të tretë të vitit, duke ruajtur luhatshmëri të ulët në këmbimin lek/euro/ dollar, pranë mesatares së tyre historike.
Sipas BSH-së, zhvillimet në treg kanë pasqyruar një situatë të konsoliduar dhe pa presione të ndjeshme mbi kursin e këmbimit.
Të dhënat tregojnë se vëllimet e tregtimit në tregun valutor kanë shënuar rritje të ndjeshme. Rritja vjetore e tyre është përshpejtuar në 24,4% gjatë tremujorit të tretë, krahasuar me normën 8,0% të regjistruar në gjysmën e parë të vitit. Bilanci i pagesave për dy tremujorët e parë të vitit konfirmon lidhjen e ngushtë mes rritjes së tregtimit valutor dhe shkëmbimeve tregtare e të shërbimeve me jashtë vendit.
Banka e Shqipërisë thekson gjithashtu se tregu vendas vijon të përfitojë nga oferta e lartë në valutë. Deficiti i llogarisë korrente ka qëndruar në nivele të ulëta, duke arritur 4,3% të PBB-së në gjysmën e parë të vitit, ndërsa mbulimi i këtij deficiti nga investimet e huaja direkte ka rezultuar mjaft i lartë, në nivelin e 135%.
Në aspektin e kursit të këmbimit, leku është forcuar më tej ndaj dollarit amerikan gjatë tremujorit të tretë. Ky zhvillim pasqyron jo vetëm ofertën e lartë të valutës në tregun vendas, por edhe dobësimin e vazhdueshëm të dollarit në tregjet ndërkombëtare. Kursi USD/LEK zbriti në një mesatare prej 82,7 lekësh në shtator, nga 85,1 lekë në qershor, duke shënuar një rënie prej 2,8%.
Gjatë tre javëve të para të tetorit, dollari është kuotuar rreth një mesatareje prej 83,0 lekësh, çka përfaqëson një nivel 8,2% më të ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kushtet e qëndrueshme të tregut valutor dhe flukset e forta valutore vijojnë të mbështesin stabilitetin financiar të vendit. e.xh/j.p/