E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq në Lezhë, përmbyten rrugë dhe toka bujqësore

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë prej mesnatës Lezhën kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në zonat urbane.

Sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen “Besëlidhja”, si dhe në një sipërfaqe prej rreth 11.2 hektarësh.

Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Prezencë uji ka pasur edhe në disa segmente të rrugës Lezhë-Shëngjin, ndërsa një pemë u rrëzua dhe vështirësoi qarkullimin.

Gjithashtu, kanali i ujërave të larta në Zadrimë doli nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujit dhe përmbyti disa hektarë tokë bujqësore në zonën e Kallmetit.

Probleme raportohen edhe në bashkinë e Kurbinit. Vërshimi i ujit solli probleme në qytetin e Laçit, ndërsa përmbytje raportohen edhe në Gjorm dhe Zheje.

Në disa zona ka mungesë të energjisë elektrike, kryesisht në fshatra. Grupet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve, ndërsa bashkitë kanë angazhuar mjete dhe punonjës për largimin e inertëve dhe normalizimin e trafikut.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›