Kuvendi voton projektligjet në rendin e ditës, Ismail Shehu emërohet kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kuvendi votoi sot projektligjet në rendin e ditës në një situatë të tensionuar, ndërsa deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke kontestuar procesin e votimit.
Me 84 vota pro dhe 1 kundër, Kuvendi miratoi projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”.
Po ashtu, projektligji për ndryshime në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë u miratua me 85 vota pro dhe 2 kundër.
Një tjetër projektligj i miratuar sot ishte ai për ndryshime në ligjin “Për turizmin”, i cili mori 84 vota pro dhe 2 kundër.
Kuvendi miratoi po ashtu edhe ndryshimet në Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë me 84 pro dhe 5 kundër, si dhe ndryshimet në ligjin “Për Avokaturën e Shtetit” me 82 pro dhe 2 kundër.
Projektligji për ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile” u miratua me 82 pro dhe 1 kundër, ndërsa projektligji për ndryshime në ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” me 83 vota pro dhe 1 kundër.
Po ashtu, Kuvendi miratoi projektligjin për ndryshime në ligjin “Për pronësinë industriale” me 83 vota pro dhe 2 kundër.
Me 83 vota pro dhe 2 vota kundër u miratuan po ashtu edhe ndryshimet në ligjin “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” si dhe ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit”.
Kuvendi votoi po ashtu me projektvendime të veçanta edhe 18 kandidatura për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik nga të cilat u miratua emërimi i tre kandidaturave.
Konkretisht Kuvendi miratoi me 73 vota pro emërimin e Edvin Simos; Donika Dacit dhe Nertil Kaninës.
Ndërkohë u rrëzuan kandidiaturat e Florent Zguros, Enkeleon Topullit, Lulzim Matas, Ergys Strezas, Julian Dhimës, Najada Merollit, Florian Sahatçiut, Erald Mihalit, Bledar Cengut, Xhovan Gjinit, Hipokrat Bibës, Lorena Beqirit, Endri Dafës, Hektor Mucajt dhe Gjergji Kostës.
Po ashtu Kuvendi miratoi me 78 vota pro emërimin e Ismail Shehut për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa rrëzoi kandidaturën e Behar Zenelit.
/m.m/