E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuze mirëpret Idrizajn

Mundësitë që Besian Idrizaj të veshë fanellën e Kombëtares shqiptare në një të ardhme të afërt janë të mëdha. Trajneri i Shqipërisë, Josip Kuze, i ka dhënë tashmë dritën jeshile ish anëtarit të Liverpoolit, i cili luan me Swansea Cityn në Championshipin anglez.

Lajmi është konfirmuar nga menaxheri Mario Cenolli, një njeri me kredibilitet të madh në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF). Kontaktet e Cenollit me Idrizin kanë filluar rastësisht, pasi menaxheri mbron interesat e sulmuesit të njohur kosovar me pasaportë finlandeze, Shefki Kuqit, i cili luan në të njëjtën skuadër me Idirizanj.

Me ndërmjetësimin e Kuqit, Cenolli është takuar edhe me Idrizajn, i cili ka shprehur dëshirën për të luajtur për Kombëtaren kuqezi. Menaxheri tashmë ka nisur fushatën sesibilizuese të drejtuesve të FSHF-së rreth dëshirës së talentit për të luajtur në Kombëtaren shqiptare.

Për arsye se trajneri kroat aktualisht ndodhet në vendlindjen e tij, nuk ka qenë i mundur një takim kokë më kokë mes tyre, por lidhja mes tyre është realizuar nëpërmjet telefonit.

“Trajneri ishte dakord me idenë që Idrizaj të bëhej pjesë e Kombëtares. Por, duke qenë se Kuze do të shkojë në fundjavë në Itali të takojë Edgar Çanin, më gjerësisht për Besianin do të diskutohet kur ai të kthehet në Zagreb”, ka thënë Canolli për të përditshmen shqiptare Shqip.

Sipas Canollit, ende nuk dihet nëse 22 vjeçari do të jetë në miqësoren me Malin e Zi më 25 maj dhe në miqësoren me Andorrën më 2 qershor, sepse është edhe çështja e procedurave të pasaportës shqiptare që nuk dihet sa mund të zgjasë.

“Megjithatë, rëndësi ka fakti që lojtari vetë dhe familja e tij janë 100 për qind të sigurt që ai të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare”, shtoi ai.

Idrizaj ka nënshtetësi austriake, derisa në vitin 2007 ka debutuar me përfaqësueses U-21 të këtij vendi, ku ka zhvilluar 12 ndeshje. Pasi është paraqitur vetëm me shpresat austriake, ai ka të drejtë të luajë me Kombëtaren A të Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›